
Pas pushimeve në Shqipëri, shumë anëtarë të diasporës, por edhe shtetas të huaj që zgjodhën vendin tonë për të kaluar pushimet verore, po kthehen në vendet e tyre.
Mes udhëtarëve ka edhe shqiptarë që lëvizin drejt Italisë për arsye të ndryshme.
Sipas të dhënave zyrtare nga porti detar i Durrësit, gjatë javës së fundit, nga data 13 deri në mbrëmjen e 18 gushtit, janë përpunuar në hyrje dhe dalje rreth 44 mijë pasagjerë dhe afro 13 mijë automjete. Fluksi aktualisht është në dalje nga kjo pikë kufitare detare, më e madhja në vend. Gjatë kësaj periudhe, nga Durrësi drejt porteve italiane të Barit dhe Ankonës udhëtuan me tragetet e linjave mbi 28 mijë e 700 persona dhe 8 mijë e 234 automjete. Në të njëjtën periudhë, në vend hynë mbi 15 mijë udhëtarë dhe 4 mijë e 622 automjete.
Mëngjesin e kësaj të marte në port mbërritën 3 tragete, të cilat do të largohen pasdite dhe në mbrëmje vonë me udhëtarë të tjerë. Ndërkaq fluksi i lëvizjeve pritet të jetë i lartë edhe fundjavat e ardhshme, teksa përfundon sezoni i pushimeve dhe mijëra pushues kthehen drejt vendeve ku jetojnë e punojnë.
Top Channel