Ndarja nga jeta e Artur Zhejit, gazetari Juxhin Mustafaraj: Ishte “zjarrfikësi” i debateve, jo me tension, por me argumente të mprehta

23/08/2025 22:23

Gazetari Juxhin Mustafaraj ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeredaktori i Top Story shkruan se “Artur Zheji ishte ‘zjarrfikësi’ i debateve jo me tension apo ngritje zëri, por me argumente të mprehta, qëndrime të qarta dhe një klas unik që e veçonte në çdo diskutim publik”.

Reagimi i plotë:

Top Story humbi një mik dhe bashkëpunëtor të çmuar…

Lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit Artur Zheji erdhi pështjellues, i pabesueshëm dhe plot trishtim.

Në këto dy vite të fundit, bashkëpunimi me Turin ka qenë i veçantë: një mik i afërt dhe një bashkëpunëtor i çmuar për Top Story. Në çdo diskutim redaksional me Gridën për të ndërtuar panele me nivel dhe përmbajtje elitar, emri i tij ishte gjithmonë ndër të parët që përmendej.

Artur Zheji ishte “zjarrfikësi” i debateve jo me tension apo ngritje zëri, por me argumente të mprehta, qëndrime të qarta dhe një klas unik që e veçonte në çdo diskutim publik.

Që nga ky shtator, Top Story dhe media shqiptare do të ndiejnë mungesën e një miku të vërtetë, një zëri të pakrahasueshëm dhe një analisti me vizion të thellë për politikën dhe gjeopolitikën.

U prehsh në paqe, Tur

Top Channel