
Është shuar sot Artur Zheji, një prej figurave më të shquara të mendimit, publicistikës dhe gazetarisë shqiptare.
Publicist, analist, mendimtar dhe një ndër zërat më të artikuluar të shoqërisë sonë, ai është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak në Sarandë. Sipas njoftimit të policisë, ai është ndjerë keq rreth orës 16:10 dhe gjatë kohës që po transportohej në spital ka ndërruar jetë.
Lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë, Artur Zheji rridhte nga një familje me rrënjë të thella në historinë dhe kulturën shqiptare. Djali i gjuhëtarit të shquar Petro Zheji dhe i aktores së njohur Besa Imami, ai u rrit në një ambient të pasur kulturor dhe intelektual, që më vonë do të shërbente si themel për rrugëtimin e tij në gazetari dhe filozofi politike.
Zheji nuk ishte thjesht një analist. Në një epokë të mbingarkuar me lajme të shpejta dhe debate sipërfaqësore, ai guxonte të ngrinte pyetje të mëdha, të sfidonte konformizmin dhe të depërtonte thellë në kuptimin e ngjarjeve.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, dha një kontribut të vyer në disa prej institucioneve kryesore mediatike të vendit. Ka qenë drejtues në Radio Televizionin Shqiptar, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe kryeredaktor i gazetës “Mapo”, ku u dallua për stilin e tij të mprehtë dhe analizat e thelluara. Publikut të gjerë iu bë i njohur përmes emisionit “360 Gradë”, të cilin e drejtoi duke sjellë zëra të ndryshëm me kurajo dhe integritet profesional.
I lidhur fort me Shqipërinë, me historinë dhe trashëgiminë e saj, Zheji ishte një kritik i ndershëm dhe dashamirës i vendit të vet. Ai besonte se dashuria për atdheun shprehet me guximin për të thënë të vërtetën, sado e vështirë të jetë ajo.
Nip i studiuesit të njohur Gjergj Zheji dhe pinjoll i një dinastie të ndritur intelektuale, Artur Zheji mishëroi përkushtimin ndaj dijes, mendimit të lirë dhe përgjegjësisë publike. Ai ishte mentor për shumë gazetarë të rinj, koleg i respektuar dhe njeri me integritet të pakompromis.
Largimi i tij lë një boshllëk të ndjeshëm në median shqiptare dhe në jetën publike. Zëri i tij do të mungojë në debatet e ditës, në editorialet e kthjellëta dhe në interpretimet që nxisnin reflektim e diskutim të thelluar.
Bashkëpunëtor i Top Channel që prej themelimit të këtij televizioni nga Dritan Hoxha dhe deri së fundmi si analist në emisionin “Top Story”, Zheji mbetet një pikë referimi për ata që zgjedhin të mendojnë para se të flasin dhe të pyesin përpara se të gjykojnë. Figura e tij mbetet e lidhur ngushtë me zhvillimin e mendimit kritik dhe jetës publike në Shqipëri, dhe do të kujtohet si një gazetar e analist me integritet, që i dha peshë debatit publik shqiptar
Top Channel