Starton kampionati i 87-të/ Ngre siparin e sezonit të ri superndeshja Vllaznia-Egnatia! Ndeshja luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës

22/08/2025 15:44

Gjithçka gati për të zbuluar garën që do të vendosë kampionet e 87-të të Shqipërisë.

Sot, në orën 20:00, stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës do të jetë skena e hapjes së edicionit të 87-të të Kategorisë Superiore, kampionatit më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

Kalendari ka rezervuar një nisje spektakolare. Përballja mes Vllaznisë dhe Egnatias, një “déjà-vu” e finales së titullit të sezonit të kaluar. Atmosfera është e zjarrtë në Shkodër, ku tifozët presin një Vllazni ndryshe këtë sezon, ndërsa Egnatia shfaqet më e vendosur se kurrë për të mbrojtur fronin.

Dy tituj kampion radhazi e kanë vendosur Egnatian në një tjetër nivel. Nga një skuadër e re në Superiore, ekipi i Rrogozhinës është kthyer në një makineri fituese, duke treguar stabilitet dhe organizim.

Pas një sezoni me zhgënjime, Vllaznia ka nisur një projekt të ri nën drejtimin e trajnerit Edi Martini. Kuqeblutë kanë lëvizur me vendosmëri në merkato për të sjellë lojtarë cilësorë dhe për të rikthyer skuadrën për titullin kampion.

Ndërkohë Dinamo nisur edhe nga paraqitjet në Europë konsiderohet të paktën një letër si pretendentja serioze e titullit. Një nga skuadrat që shihet si rivali kryesor i Egnatias është Dinamo. Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se ndeshja Teuta – Dinamo City, e vlefshme për javën e parë të kampionatit “Abissnet Superiore”, nuk do të zhvillohet ditën e diel, më 24 gusht, por më 5 shtator, në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”.

Kjo shtyrje vjen pas kërkesës së klubit Dinamo City, për shkak të angazhimit në fazën play-off të UEFA Conference League. Në situata disi më pak të zhurmshme po e fillojnë këtë sezon ekipet e tjera të ashtuquajtura të mëdha, Tirana me shumë të rinj, duke filluar edhe nga trajneri Mile, ndërsa Partizani me shumë lëvizje drejtuesish dhe trajnerësh, pas largimit të Gegës, tashmë drejtimin e tyre e merr Mlladen Milinkovic.

Ndërsa prite që të startojë sezoni i ri, presidenti I FSHF Armand Duka, në një mesazh të hapur publik uron klubet“.

“Sot hapet një kapitull i ri i futbollit shqiptar me nisjen e edicionit të 87-të të Kategorisë “Abissnet Superiore 2025-2026”. Çdo fillim sezoni është një moment shprese dhe ambicieje, ku ekipet, trajnerët, lojtarët dhe tifozët hyjnë në një udhëtim të ri, të mbushur me plot sfida dhe emocione. Përpara kemi një sezon të ri që premton rivalitet, emocione dhe histori të reja. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju uroj një sezon të mbushur me suksese dhe momente të paharrueshme”, tha Duka.

Top Channel