
Véronique Rabiot, mamaja e futbollistit Adrien Rabiot ka rezerva për të gjithë pas vendimit të Marsejës për të pezulluar dhe nxjerrë në shitje djalin e saj, për shkak të një sherri në dhomat e zhveshjes me shokun e skuadrës, Rowe.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, pas humbjes me Rennes. Në dy intervista për RTL dhe gazetën La Provence, nëna e mesfushorit, e cila është dhe agjentja e tij sulmon presidentin Longoria, “që sillet si agjent” dhe drejtorin sportiv Benatia, “të papërshtatshëm për rolin e tyre”.
Pa harruar trajnerin De Zerbi, “atë që ulërin dhe leh gjithmonë në dhomën e zhveshjes”.
Fillimisht, Véronique Rabiot nis përplasjen mediatike me drejtuesit që dolën publikisht për të justifikuar vendimin: “Presidenti dhe drejtori sportiv nuk janë në lartësinë e rolit që mbajnë. pushtohen nga emocionet, janë të konsumuar nga egoja e tyre. Dhe Longoria sillet si agjent, jo si president.”
Në qendër të gjithçkaje është sherri i famshëm i javës së kaluar.
“Nuk isha në dhomën e zhveshjes, as Longoria. Adrien do të tregojë versionin e tij, por është e qartë që sa më shumë kalon koha, aq më i ekzagjeruar bëhet ai debat, që në futboll ndodh shpesh. Drejtuesit flasin për dhunë të paparë, por nuk ka hundë të thyer, buzë të çara, as qepje, dhe askush nuk përfundoi në spital. As trajneri, as drejtori sportiv nuk ndërhynë. Nuk pati asnjë dhunë të tmerrshme, asnjë të plagosur”, tha mamaja e futbollistit.
Presidenti Longoria dhe drejtori sportiv Benatia justifikuan përjashtimin e Rabiot duke përmendur nevojën për respekt ndaj klubit.
“Për çfarë respekti flet një president që bërtiste ‘korrupsion, korrupsion’ për të kritikuar gjyqtarët? Ose një drejtor sportiv që u pezullua për muaj të tërë sepse kritikoi vendimet e arbitrave? Nuk janë ata që mund të japin shembull”, kundërshtoi Veronique.
Më pas, nëna e mesfushorit foli edhe për trajnerin De Zerbi: “Ai thotë se nuk kishte parë kurrë diçka të tillë, se ishte i shokuar, kur është gjithmonë ai që ulërin dhe leh në dhomën e zhveshjes. I dha një shans të dytë Greenwood-it, që rrahu gruan, mund t’ia jepte edhe Adrienit.”
“De Zerbi thotë se ndihet i tradhtuar nga mungesa e impenjimit që nga grumbullimi në Holandë. Por është Adrien ai që është tradhtuar. Në këtë situatë Adrien ndjen mosmirënjohje, tradhti dhe mungesë respekti”, tha ajo.
Véronique Rabiot madje bën një krahasim duke kujtuar sezonin e fundit me PSG-në, kur djali i saj u përjashtua për pjesën më të madhe të vitit sepse nuk donte të rinovonte, aq sa çështja përfundoi në gjykatë dhe klubi i emirit u dënua për mobing: “Ne mendonim se e kishim kaluar më të keqen me PSG-në, por isha gabuar. Në Marsejë është edhe më keq.”
“Gjithë kjo që po ndodh është një inskenim, e vërteta është diku tjetër. Nëse episodi do të kishte qenë kaq i rëndë, Adrien do të ishte pushuar nga puna. Është thjesht një pretekst për ta nxjerrë në shitje një vit para përfundimit të kontratës dhe për të përfituar para. Në futboll të gjithë gënjejnë dhe të gjithë e dinë që të gjithë gënjejnë. Kur nuk kupton çfarë po ndodh, do të thotë që pas kësaj fshihen paratë”, përfundoi nëna e mesfushorit të kombëtares franceze.
Top Channel