“Më dhembin sytë kur shikoj mbeturina”/ Të huajt në pastrim, gjermanë e shqiptarë bëhen bashkë për natyrën

22/08/2025 12:22

Të veshur me dorashka, veshje pune dhe me qese në duar, u panë duke mbledhur mbeturinat përgjatë pyllit të Sodës në Plazhin e Vjetër.

Fillimisht mund të ngatërroheshin me punonjës bashkie, por në fakt ishin qytetarë shqiptarë dhe gjermanë që po kontribuonin vullnetarisht për pastrimin e zonës.

“Më dhembin sytë kur shikoj këto mbeturina kudo përgjatë rrugëve e plazheve. Kryeministri Rama po bën një promovim fantastik për bukuritë e Shqipërisë, por është detyra e çdo qytetari që ta mbajë dhe ta kujdes këtë vend kaq të bekuar. Kam ardhur këtu sepse Shqipëria preket nga dielli shumë më tepër se vende të tjera në Europë. Ka shumë ditë me diell, temperatura të favorshme dhe një natyrë të mrekullueshme. Kam vendosur që nga e hëna deri të premten të vazhdoj punën time normale, ndërsa gjatë fundjavave, bashkë me skuadrën time prej katër punëtorësh, kemi ndërmarrë nismën për të mbledhur mbeturinat, me qëllim që të mos shkatërrojmë natyrën.”, shprehet shtetasi gjerman.

Kjo Shqipëri kaq e bukur duam ta shijojmë dhe ta ndajmë me miqtë tanë, por na vjen turp të tregojmë këto pamje dhe këtë trajtim që i bëhet natyrës sonë, jo vetëm nga vendasit por edhe nga të huajt.”, shprehet shqiptarja.

Ky është një shembull i thjeshtë qytetarie, që tregon se dashuria për natyrën dhe vendin nuk ka kufij kombësie, por është një detyrim i përbashkët.

Top Channel