De Zerbi reagon pas deklaratave të mamasë së Rabiot: Prisja të vinte më kokën ulur dhe të kërkonte falje, mamaja e tij…

22/08/2025 21:37

Një sherr si në një pub anglez dhe asnjë shenjë pendimi. Për këtë arsye, Roberto De Zerbi dha dritën jeshile për pezullimin e Adrien Rabiot, pas konfliktit me Rowe të premten e kaluar në Rennes.

Duhej të ishte një sanksion i përkohshëm, por menaxhmenti i lojtarit e përkeqësoi gjithçka dhe situata shkoi drejt prishjes totale. Ky është versioni i trajnerit italian, i cili foli sot në konferencën për shtyp para ndeshjes me Paris FC: “Nuk jam i skandalizuar sepse vij nga rruga, por do të prisja një Rabiot me kokën e ulur dhe disa kërkesa faljeje. Dhe gjërat do të ishin kthyer në normalitet.”

Tani, megjithatë, Rabiot është në merkato dhe është e vështirë që çarja të riparohet: “Erdhi të më fliste vetëm sot, është i mërzitur, mendon se ishte një masë shumë e ashpër. Por i fola si një baba. Po të isha babai i tij do të kisha bërë të njëjtën gjë. I dhashë një këshillë atësore dhe të shohim çfarë do të bëjë me të.”

“Le të vendosim pak rregull, nëse në çdo vend pune dy punonjës zihen me grushta, qofshin kamarierë, avokatë apo punëtorë, para shefave ka vetëm dy zgjidhje: pezullim ose pushim nga puna. Me presidentin Longoria dhe drejtorin sportiv Benatia vendosëm për pezullimin dhe shpresonim në një pendim të sinqertë dhe që të kuptohej se edhe në një skuadër futbolli ekziston një hierarki. Ishte një zgjedhje e detyruar, sepse u desh të ndërhynin edhe truprojat”, tha De Zerbi.

Më pas, De Zerbi iu përgjigj Véronique Rabiot, e cila e akuzoi për tradhti dhe mospërputhje pasi “leh” në dhomat e zhveshjes.

“Ajo tha gjëra të pavërteta, isha unë ai që e bëra kapiten në Paris dhe që u vura mes tij dhe tifozëve parizienë që i hidhnin shishe. Nëna e tij thotë se nuk i dhashë një shans të dytë si Greenwood-it. Por çështja e Greenwood-it ishte personale. Këtu flasim për një sjellje të gabuar në vendin e punës. Është e vërtetë që unë ‘leh’, ulërij në dhomën e zhveshjes, por jam i pari që përqafoj lojtarët e mi.

Kam treguar më shumë kujdes për djalin e saj se për të tjerët. Madje i kam propozuar të transferohet në shtëpinë time në Aix-en-Provence dhe unë të shkoja të rrija në hotel. E dua Rabiot, duhej të ishte një vendim i përkohshëm. Mund të kishim bërë sikur s’kishte ndodhur gjë, por nuk humbas dinjitetin për një ndeshje. Ishte një vendim i guximshëm që e miratoj. Në klubet e mëdha duhen rregulla të qarta që duhen respektuar”, tha tekniku italian.

Tani topi është në duart e Rabiot. Për nënën e tij, e cila i menaxhon karrierën, kthimi pas është i pamundur. De Zerbi, megjithatë, lë një derë hapur.

“Rabiot është një djalë i mirë, por situata u menaxhua keq nga kampi i tij. Do të kishte qenë normale të kthehej me kokën ulur dhe të kërkonte falje. Dhe gjithçka do të ishte kthyer në normalitet. Ne nuk kemi dashur kurrë një ndarje përfundimtare. Tani është e mundur që të largohet. Nuk është e lehtë të luash pa një lojtar të nivelit të Rabiot, por do të përpiqemi ta plotësojmë skuadrën. Presim 5-6 afrime nga këtu deri në fund të merkatos”, përfundoi De Zerbi.

 

Top Channel