
Në fazat e para të një sulmi të madh në qytetin e Gazës, Izraeli ka nisur thirrjen e dhjetëra mijëra rezervistëve për të marrë pjesë në operacionin ushtarak që po afrohet.
Zaptimi dhe pushtimi i qytetit më të madh në veri të Gazës, që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi si një nga fortesat e fundit të Hamasit, do të kërkojë mobilizimin e 60 mijë rezervistëve të rinj dhe zgjatjen e shërbimit për 20 mijë të tjerë, sipas CNN.
Këto plane kanë shkaktuar reagime dhe kritika të shumta si brenda Izraelit, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak të frikës se kriza humanitare dhe uria në Gaza do të përkeqësohen më tej, ndërsa rreziku për jetën e pengjeve të mbetura do të rritet ndjeshëm nga zgjerimi i operacioneve ushtarake.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin, tha të mërkurën se ushtria ndodhet tashmë në periferi të qytetit të Gazës – një hap i parë në operacionin më të gjerë.
Fillimisht, kabineti i sigurisë izraelite kishte parashikuar që marrja nën kontroll e qytetit të zgjaste pesë muaj ose më shumë. Por të mërkurën, Netanyahu i kërkoi ushtrisë të përshpejtojë planin dhe të shkurtojë afatin.
Pas gati dy vitesh lufte dhe pa një fund në horizont, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, gjeneral leitnant Eyal Zamir, paralajmëroi për ngarkesën shtesë që po përjetojnë trupat, shumë prej të cilëve janë thirrur disa herë për të luftuar në Gaza. Ai shprehu shqetësimin për lodhjen dhe rraskapitjen e ushtrisë, por paralajmërimet e tij nuk u morën parasysh nga Netanyahu dhe partnerët e koalicionit, të cilët po vazhdojnë me planet për operacionin e ri.
Ndërkohë, një sondazh i ri nga Agam Labs në Universitetin Hebraik të Jerusalemit tregoi se rreth 40% e ushtarëve janë pak ose dukshëm më pak të motivuar për të shërbyer, ndërsa vetëm rreth 13% janë më të motivuar. Rezultatet nxjerrin në pah një realitet të vështirë për ushtrinë izraelite, e cila mund të përballet me kufizime të mëdha në fuqinë punëtore, sidomos kur shumica dërrmuese e qytetarëve izraelitë vazhdojnë të shprehin mbështetje për përfundimin e luftës.
Në një moment kur Izraeli përgatitet për ofensivën e radhës në Gaza City, udhëheqësit ushtarakë kanë kërkuar nga qeveria të rekrutojë edhe ultra-ortodoksët për të plotësuar radhët e trupave të lodhura nga lufta. Megjithatë, shumica dërrmuese e komunitetit ultra-ortodoks refuzon të shërbejë në ushtri, dhe si rezultat, qeveria po shtyn përpara një projektligj që do t’i përjashtonte nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Debati për përjashtimet nga shërbimi ushtarak, në kohë lufte, ka shkaktuar zemërim të thellë në mesin e shumë ushtarëve që janë thirrur disa herë për të luftuar në Gaza.
Pas miratimit nga kabineti i sigurisë për nisjen e operacionit të ri në Gaza City, një organizatë e vogël rezervistësh, “Ushtarët për Pengjet”, ka bërë thirrje që ushtarët të refuzojnë urdhrat për mobilizim. “Fëmijët tuaj nuk dinë të refuzojnë vetë, sepse është e vështirë. Është pothuajse e pamundur,” shkroi grupi në rrjetet sociale. Organizata të tjera të rezervistëve nuk kanë bërë thirrje të hapura për refuzim, por shumë ushtarë po marrin vendimin në mënyrë individuale.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk publikojnë të dhëna për numrin e rezervistëve që nuk paraqiten pas thirrjes.
“Dënim me vdekje për pengjet”
Avshalom Zohar Sal ka shërbyer mbi 300 ditë në Gaza në katër dislokime të ndryshme. Dislokimi i tij i fundit përfundoi vetëm një muaj më parë, dhe ai thotë se nuk është më i gatshëm të rikthehet në vijën e parë të frontit, sidomos për një ofensivë në Gaza City.
“Jam pak në shok që ende po flasim për këtë luftë që duhej të kishte përfunduar prej kohësh,” i tha ai CNN-it. Ai shton se dyshimet që i lindën një vit më parë janë forcuar, dhe se edhe shokët e tij ndajnë të njëjtat shqetësime. “Kjo është një dënim me vdekje për pengjet,” u shpreh ai. “Qeveria gjithmonë ka thënë se kemi dy misione: kthimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit. Tani sikur po na thonë që kemi vetëm një objektiv – të pamundur sipas meje – të shkatërrojmë Hamasin. Dhe as kjo nuk do e arrijë qëllimin.”
Mungesa e motivimit dhe frika për jetët e pengjeve
Izraeli ka një forcë aktive të vogël, të përbërë kryesisht nga të rekrutuar, ndaj për të vazhduar luftën më të gjatë në historinë e tij, mbështetet tek rezervistët. Por nuk është e qartë se sa prej tyre do t’i përgjigjen thirrjes së re, sidomos pasi shefi i ushtrisë paralajmëroi se operacioni i ri mund të rrezikojë si jetët e ushtarëve, ashtu edhe ato të pengjeve.
Zëdhënësi i ushtrisë, gjeneral brigade Effie Defrin, u përpoq të qetësonte opinionin duke thënë se IDF përdor “inteligjencë dhe shumë kapacitete të tjera” për të mbrojtur jetët e pengjeve, por pranoi se e vetmja gjë që mund të premtonte ishte: “Do bëjmë më të mirën për të mos i dëmtuar.”
Thirrjet për mobilizim janë të detyrueshme për shumë rezervistë, por për shkak të dislokimeve të shpeshta, ushtria ka treguar pak vullnet për të ndëshkuar ata që refuzojnë ose shmangin pjesëmarrjen.
Ish-shefi i shtabit të IDF-së, gjenerali në pension Dan Halutz, që udhëhoqi ushtrinë në luftën e vitit 2006 me Libanin, parashikoi se jo të gjithë rezervistët do të përgjigjen. “Besoj se disa prej tyre do qëndrojnë në shtëpi,” tha ai gjatë një proteste të rezervistëve të Forcave Ajrore këtë muaj. “Kjo luftë ka mbaruar një vit më parë,” u shpreh Halutz, duke e quajtur planin aktual “pa logjikë”. Ai nuk bëri thirrje për refuzim të shërbimit, por u kërkoi rezervistëve të veprojnë “sipas ndërgjegjes së tyre.”
Lufta më e gjatë dhe kriza humanitare
Kryeministri Benjamin Netanyahu kishte premtuar që më shumë se një vit më parë se faza më e ashpër e luftës do të kishte përfunduar. Në një intervistë për CBS në shkurt 2024, ai tha se pas pushtimit të Rafahut, “faza intensive e luftimeve është vetëm pak javë larg përfundimit.” Tani, 18 muaj më vonë, Netanyahu thotë se një operacion i ri është mënyra më e shpejtë për të përmbyllur luftën më të gjatë të Izraelit.
Por Gaza City, ku synohet ofensiva, është shtëpi për mbi një milion banorë – shumë prej të cilëve janë tashmë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Gazës.
Pas më shumë se 22 muajsh nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, mbi 2 milionë palestinezë në Gaza po përballen me uri ekstreme, sëmundje dhe zhvendosje, nën bllokadën izraelite. Sipas OKB-së, rastet e kequshqyerjes tek fëmijët janë trefishuar në më pak se gjashtë muaj. Gati 1 në 3 fëmijë në Gaza City janë të kequshqyer.
Drejtori i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, e cilësoi situatën si “një urie të qëllimshme, e parandalueshme”. Megjithatë, qeveria e Netanyahut vazhdon të mohojë se ka uri të përhapur në enklavë.
Top Channel