
Në rrugët e Tiranës, por jo vetëm edhe në qytetet të tjera dhe kryesisht në zona bregdetare gjithnjë e më shumë shikon shtetas të huaj.
Tanimë jo vetëm një atraksion turistik por Shqipëria po lakmohet nga të huajt edhe për të punuar. Filipinasit duket se kanë gjetur treg pune në vendin tonë kryesisht baby siter, sanitare në shtëpitë e shqiptarëve, sallone estetike etj. Edhe në statistikat zyrtare shtetasit filipinezë janë në vend të parë për numrin e kërkesave.
Deri ne fund te muajit korrik të këtij viti kanë aplikuar për lejeqëndrimi 10 mijë 256 shtetas të huaj.
Nga këta 1351 janë shtetas filipinas. Më pas renditen shtetasit italianë me 1326 kërkesa, pasuar nga India dhe Egjipti
Bazuar në statistika gjatë vitit 2025 ka një rritje të aplikimeve pasi nëse një vit më parë ka pasur 13.176 nga ku janë miratuar 12.856 kërkesa, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti ka pasur 10.256 kërkesa nga ku janë miratuar 8152.
Nëse gjatë vitit 2024 në vend të parë ishin shtetasit italianë që kërkonin lejeqëndrimi pasuar nga shtetasit egjiptiane. Këtë vit vihet re kërkesë në rritje e filipinasve, indianëve dhe egjiptianëve.
Arsyet e lejeqëndrimit janë të ndryshme, por numrin më të lartë e mbajnë kërkesat për punë ku vetëm për gjysmën e parë të këtij viti janë 7095 të tilla, ndërkohë që për të gjithë vitin 2024 ka pasur 8197.
Të huajt i gjen edhe në mjaft kompani shqiptare, por edhe subjekte tregtare te cilat po përballen me mungesë te krahut të punës, por pse jo dhe në profesione specifike ku tregu i punës ka mungesa. Ndërkohë qe kërkesa për leje qëndrimi ka edhe për arsye studimi, bashkim familjar e arsye të tjera.
Top Channel