Sulmuesi shqiptar thotë “Po”, mungon vetëm firma për transferimin drejt Juventusit! Zbulohen detajet e kontratës

20/08/2025 10:13

Juventusi po lëviz fuqishëm në merkato dhe është gati të bëjë një hap konkret për transferimin e Edon Zhegrovës.

Klubi bardhezi dëshiron të ribashkojë sulmuesin kosovar me Jonathan David, duke rikrijuar dyshen që shkëlqeu te Lille, me synimin për të ndërtuar një repart ofensiv të nivelit të lartë në Torino.

Sipas Tuttosport, negociatat kanë ecur me ritme pozitive dhe tashmë është arritur një marrëveshje me agjentin Hasan Çetinkaya për një kontratë deri në vitin 2030, me një pagë rreth 2.5 milionë euro në sezon plus bonuse.

Aktualisht, Lille kërkon rreth 25 milionë euro për kartonin e Zhegrovës, por duke qenë se afati i transferimeve është drejt mbylljes, shuma mund të bjerë në 18-20 milionë euro.

Megjithatë, përpara se të finalizohet blerja, Juventusi duhet të sigurojë një shitje, me emrin më të përfolur atë të Douglas Luiz. Mesfushori brazilian është shumë pranë kalimit te Nottingham Forest, për një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje, që pritet të arrijë në rreth 30 milionë euro. Nëse ky transferim zyrtarizohet, do të hapet hapësira financiare dhe një vend i lirë në skuadër për Zhegrovën.

Ky zhvillim do t’i jepte Juventusit një avantazh të madh ndaj Olympique Marseille, i cili ka shfaqur gjithashtu interes për kosovarin, por po përballet me probleme të brendshme dhe nevojën për të shitur lojtarë si Jonathan Rowe dhe Adrien Rabiot.

Në këto kushte, bardhezinjtë shihen si favoritë për të siguruar shërbimet e Edon Zhegrovës, i cili mund të bëhet goditja e madhe e fundit e merkatos verore në Torino.

Top Channel