Si është e lidhur shtatzënia në moshë të madhe me rrezikun e kancerit të gjirit?

20/08/2025 16:46

Një hulumtim i fundit ka zbuluar se gratë që bëjnë fëmijën e parë pas moshës 30 vjeç rrisin rrezikun për t’u prekur nga kanceri i gjirit me 40 deri në 45%.

Profesori Weston Porter nga Universiteti “Texas A\&M” shpjegon se kjo formë e sëmundjes, e njohur si “kanceri i gjirit pas lindjes”, prek kryesisht gratë nën moshën 45 vjeç dhe shpesh ka një ecuri më agresive. Sipas tij, shkaku lidhet me rritjen e qelizave inflamatore gjatë periudhës së laktacionit dhe pas saj.

Të dhënat globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se vetëm në vitin 2022 u diagnostikuan mbi 2.3 milionë gra me kancer të gjirit, ndërsa 670 mijë humbën jetën.

Shumica e rasteve ndodhin tek gratë mbi 45 vjeç, por një pjesë e konsiderueshme e vdekjeve përfshin edhe gratë më të reja.

Ekspertët theksojnë se gratë që planifikojnë të bëhen nëna pas të 30-ave duhet të jenë veçanërisht të kujdesshme, duke kryer kontrolle të rregullta mjekësore dhe vetë-ekzaminime për zbulimin e hershëm të sëmundjes.

Porter gjithashtu nënvizon se ushqyerja me gji është një faktor mbrojtës, pasi ndihmon në uljen e rrezikut për zhvillimin e kancerit të gjirit.

Ky studim nënvizon edhe një herë rëndësinë e vetëdijesimit dhe parandalimit, sidomos tek gratë që vendosin të kenë fëmijën e parë në një moshë më të avancuar./TAR

Top Channel