
Ministrat pritet të lehtësohen nga barra e përgjegjësisë dhe firmat shkresore, pasi drejtuesit e drejtorive të sektorëve të ndryshëm do t’iu delegohet vendimmarrja.
Projektligji për ndryshime në funksionimin e administratës shtetërore kërkon të transformojë përgjegjësinë për vendimmarrjen në aparatin e ministrisë dhe institucionet e varësisë, drejt drejtorive, përveç rasteve kur ka përjashtime ligjore apo kur ministri apo sekretari i përgjithshëm vendos shprehimisht me shkrese të mbajë përgjegjësinë vetë.
“Objektiv është transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm të institucionit, shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë dhe lehtësimin e barrës së shtuar mbi pozicionet e ministrit apo sekretarit të përgjithshëm. Qëllimi i propozimit është përmirësimi e përgjithshëm i punës së institucioneve, rritja e efiçencës, në veçanti i cilësisë së vendimmarrjes, përgjegjësisë për këtë vendimmarrje, por edhe i cilësisë së kontrollit hierarkik. Nëpunësi i ngarkuar i drejtorisë do të realizojë punën përgatitore dhe do të propozojë vendimmarrjen, drejtori përkatës do ta marrë vendimin, duke miratuar vendimin e propozuar apo marrë një vendim ndryshe”-Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Administrata publike pritet gjithashtu të riorganizohet dhe të rris llogaridhënien për institucionet e varësisë, si një kërkesë thelbësore e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Tipologjia institucionale ka nevojë për ndërhyrje, shpjegohet në projektligj, ku thuhet se po ndiqen praktikat ndërkombëtare në bazë të përafrimit ligjor me BE; të cilat në analizat për Shqipërinë sugjerojnë mosraportimin në Parlament të Autoriteteve rregullatore të pavarura. Kështu nga tre trupa joministrore, propozohet të mbeten dy lloje, në kategorinë e parë do të mbajnë institucionet e varësisë së bashku me agjencitë aktuale autonome, ndërsa në të dytën do të ketë rikonceptim tërësor për Autoritetet dhe Entet Rregullatore, të cilat do të bëhen pjesë e ekzekutivit, e do të kalojnë në monitorim të punës nga Ministritë.
‘Mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”.
Gjithashtu në dokumentin e Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike, që është në konsultim publik kërkohen kufizime për institucionet në varësi të kryeministrit, sepse mospasja ka sjell mbingarkesë.
“Një nga objektivat e projektligjit është lehtësimi i Qendrës së qeverisjes nga institucionet në varësi të drejtpëdrejtë të Kryeministrit që duhet ose mund të kalojnë në varësi të ministrive përgjegjëse”.
Top Channel