
Bregdeti i Darzezës dhe Pish Poros, të Fierit, tashmë është një destinacion i preferuar për turistë të huaj dhe vendas. Bukuritë natyrore, rëra e pastër dhe valët e fuqishme të Adriatikut kanë sjellë një rritje të ndjeshme të pushuesve, sidomos gjatë muajit gusht.
Kjo zonë e virgjër është bërë e njohur për sportet e detit. Artur Sulejmani, që prej vitesh merret me këto aktivitete sportive, trajnon turistët që pushimet e tyre të kthehen në një aventurë plot adrenalinë brenda në det. Sipas tij, interesimi më i madh vjen nga pushues gjermanë, italianë, polakë dhe çekë.
Një turist italian që po kalon pushimet në Shqipëri tregon se rastësisht ka zbuluar këto plazhe dhe ka ardhur për të marrë mësimet e para në kitesurfing.
Por sportet nuk janë e vetmja arsye pse ky bregdet po frekuentohet. Gjithnjë e më shumë pushues vendosin të instalohen me kamper ose marrin dhoma me qira, tërhequr nga qetësia dhe uji i pastër i detit.
Top Channel