Juventusi nuk ndalet në merkato, bardhezinjtë e kanë seriozisht për yllin shqiptar

18/08/2025 14:53

Juventusi ka hyrë në bisedime me klubin francez të Lille për të arritur një marrëveshje të mundshme për transferimin e Edon Zhegrovës, raporton e përditshmja italiane Corriere dello Sport.

Bardhezinjtë po shpresojnë që në këtë operacion t’u vijë në ndihmë edhe ish-bashkëlojtari i shqiptarit te Lille, Jonathan David, i cili këtë verë është transferuar te “Zonja e Vjetër”.

Bianconerët duan të shtojnë një tjetër lojtar ofensiv në skuadër përpara mbylljes së merkatos, krahas synimit për rikthimin e Randal Kolo Muani nga PSG.

Përveç Juventusit, interes për sulmuesin anësor 26-vjeçar ka treguar edhe Olympique Marseille, që shihet si rivali kryesor në garë.

Zhegrova ka qenë në radarin e Juventusit që prej merkatos së verës së vitit 2024, kur drejtues ishte Cristiano Giuntoli, por atëherë u preferua të investohej tek Nico Gonzalez dhe Francisco Conceiçao.

Edhe Napoli kishte shfaqur interes gjatë dimrit të kaluar, duke e parë si zëvendësues të mundshëm për Khvicha Kvaratskhelia, i cili u transferua te PSG.

Tashmë, me Damien Comolli në krye të strategjisë së merkatos së Juventusit, emri i Zhegrovës është rikthyer fuqishëm në skenë. Madje, mediat italiane raportojnë se Nico Gonzalez mund të largohet për t’i hapur rrugë afrimeve të reja në sulm.

Top Channel