
Universitetet do të duhet të forcojnë prezencën në internet duke shpalosur ofertën e tyre akademike për të thithur më shumë studentë të huaj.
Me një kosto të planifikuar në vlerën e 8 milionë lekëve, Ministria e Arsimit dhe AKSHI do të krijojnë një udhërrëfyes për disponueshmëri më të lehtë të informacionit online, deri në 2027.
Plani i Veprimit, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE ka si qëllim përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në fushën e arsimit me objektiv modernizimin e infrastrukturës digjitale të institucioneve të arsimit të lartë dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Thelbësore shihet edhe nevoja për përafrimin më të mirë mes institucioneve të arsimit të lartë dhe tregut të punës. Për këtë propozohet një bashkëpunim mes universiteteve dhe Inspektoriatit të Punës, duke shtuar edhe lëndë mësimore të çertifikuara në platforma digjitale që pasurojnë njohuritë e studentëve dhe që i pajisin ata me certifikata të vlefshme për punësim.
“Kjo masë politike sugjeron përditësimin e akti rregullator për të pranuar kredite nga Kurse Masive të Hapura Online (MOOC) të njohura në fusha me kërkesë të lartë të tregut të punës.
Procesi përfshin hartëzimin e nevojave të tregut të punës duke u konsultuar me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore dhe Institucionet e Arsimit të Lartë për të identifikuar boshllëqet, rishikimin e politikave akademike për të thjeshtuar transferimin dhe vlerësimin e krediteve, si dhe krijimin e bashkëpunimeve me ofrues të mirënjohur të kurseve, veçanërisht në fusha të avancuara si siguria kibernetike dhe inteligjenca artificiale”, sipas Ministrisë së Arsimit.
Vec angazhimit të universiteteve me palët e interesuara europiane për të shkëmbyer praktikat më të mira, sugjerohet edhe krijimi i kurseve online me kredite universitare të përbashkëta, duke sjell shembuj nga bota.
“Shtete si Franca, Austria dhe Koreja e Jugut kanë zhvilluar portalet kombëtare Kurse Masive të Hapura për të zgjeruar aksesin në kurset e nivelit universitar. Këto platforma, përgjithësisht falas, ndonjëherë përfshijnë mundësi për të fituar kredite, veçanërisht në Austri dhe Korenë e Jugut. Për më tepër, partneritetet publik-privat, të tilla si bashkëpunimi midis Universitetit Mapúa të Filipineve dhe Coursera-s, i lejojnë studentët të fitojnë certifikata të njohura nga tregu i punës në fusha me kërkesa të larta si analiza e të dhënave dhe shërbimet kompjuterike në “cloud”, duke rritur aksesin dhe punësimin”.
Realizimi i mekanizmave të njohjes së krediteve nga universitetet për këto kurse online pritet të kushtojë 4 milionë lekë.
Top Channel