
Një këshilltar që ka ndihmuar Nigel Farage dhe të tjerë në Reform UK për të rritur popullaritetin në mediat sociale ka bërë deklarata të forta rreth historisë dhe politikës së jashtme britanike.
Jack Anderton, i cili drejtoi llogarinë e suksesshme të Farage në TikTok dhe më pas ndihmoi Luke Campbell të bëhej kryebashkiak i Hull dhe East Yorkshire, tha se Mbretëria e Bashkuar do të ishte më mirë nëse nuk do të kishte luftuar kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai shtoi gjithashtu se Britania nuk duhet ta mbështesë Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
Në një postim në blogun e tij, Anderton shkroi: “Po dërgojmë miliarda paund (që nuk i përballojmë dot) për të mbështetur një vend ndaj të cilit nuk kemi besnikëri. Rusia nuk është armiku ynë, ata nuk e kanë sulmuar Britaninë.”
Ai argumenton gjithashtu se Britania mund të “rifitonte” ish-kolonitë si Australia, Kanadaja dhe Afrika e Jugut, dhe se vendimi i Ministrisë së Jashtme duhet të bazohet vetëm në interesin e drejtpërdrejtë të vendit.
Anderton shprehet gjithashtu i entuziazmuar për politikat e presidentit të El Salvadorit, Nayib Bukele, duke mbështetur burgosjet masive si mjet për uljen e krimit.
Ai thotë: “Pushteti shtetëror, kur përdoret në mënyrë efektive, është në thelb i gjithëpushtetshëm. Meritokracia do të vendoset, kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar do të burgosen, imigracioni do të bjerë në zero, shtëpitë do të ndërtohen dhe qytetarët tanë do të ndihen përsëri krenarë për vendin që e quajnë shtëpi.”
Reform UK ka konfirmuar se Anderton nuk është i punësuar nga partia dhe se deklaratat e tij nuk përfaqësojnë pozicionin zyrtar të partisë ose kryetarit të bashkisë.
Top Channel