Riformatim i PD? Boçi, kundër! Nënkryetari i PD flet për TCH: Pasion momental i kritikëve, si mund të heqësh dikë nga drejtimi kur…

16/08/2025 19:43

Humbja e zgjedhjeve i dha shkak kritikëve të Sali Berishës që të kërkojnë riformatim të thellë të Partisë Demokratike, që duhet të nisë me ndryshimin e strukturës, lidershipit dhe organizmit të partisë më të madhe të opozitës.

Në një intervistë për Top Channel, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, e cilësoi si pasion momental lëvizjen e paralajmëruar në PD, duke i kujtuar të gjithë atyre që kanë mendim ndryshe se vota përcakton se kush duhet të ikë dhe të vijë, në të kundërt duhet të shohin opsionin e fraksionit.

Kërkesa për riformatimin e Partisë Demokratike, duke nisur me lidershipin e saj, nuk ka mbërritur ende zyrtarisht në tryezën e Sali Berishës. Por, kritikët e doktorit për të arritur qëllimin e tyre do duhet të presin zgjedhjet ose të krijojnë një fraksion brenda PD.

Nënkryetari i partisë, Luciano Boçi, në një intervistë për Top Channel shprehet kundër lëvizjes së paralajmëruar nga kritikët e kryetarit.

“Si mund të largosh një njeri nga drejtimi kur atë e vendos apo e heq vota apo vullneti i demokratëve? Jam disaprovues totalisht. Në PD, secili ka mendimin e vet ndryshe, mund ta shprehë, është diçka që ne e kemi pranuar vetë, e kemi zhvilluar dhe lejuar dhe kemi pranuar edhe fraksionet, dhe nëse dikush ka autoritetin për të bërë një fraksion, le ta bëjë; të mos e tregojë me autoritetin për ta hequr. Ne duhet të ndërtojmë; për të shkatërruar bëhet shumë kollaj”, thotë Boçi.

Një lëvizje që nis në shembullin e Foltores, që u pasua me rithemelimin e Partisë Demokratike, është paralajmëruar të nisë në vjeshtë nga kritikët më të ashpër të Sali Berishës. Por si po pritet ajo?

“Ndërsa kjo më duket pasion momental, çështje dhe spinimesh apo edhe çështje e marrjes përsipër e atyre veprimeve që tërheqin vëmendjen. Do kalojë!”, shton ai.

Revolta e kritikëve të Sali Berishës nisi pasi humbja e zgjedhjeve nuk u shoqërua me dorëheqje të lidershipit të partisë si reflektim i rezultatit të zgjedhjeve. Nënkryetari i Partisë Demokratike ka një analizë ndryshë të asaj që prodhoi 11 maji.

“Ne po themi që kjo humbje nuk është natyrale politike, është artificiale, ka ardhur nga krimi i organizuar që ka përcaktuar dhe kandidatët, kriminalizimi i administratës, blerja e votës, shkelja e ligjit zgjedhor. SPAK mori përsipër të pengonte krimin zgjedhor dhe u bë palë, pra nuk është humbja klasike politike, dhe përballë kësaj ka vend për të rregulluar, po jo ta paraqesim sikur duhet të bëjmë revolucion, duhet të bëjmë rotacion. Nëse ne do kishim zgjedhje, po e nis nga vetja dhe unë do kisha dhënë direkt dorëheqjen”, shprehet nënkryetari i PD-së.

Shtatori pritet të shuajë shumë dilema brenda partisë më të madhe të opozitës. Fillimisht, raporti me Parlamentin, nënkryetari demokrat lë të hapur çdo opsion, nga greva tek ngujimi në sallën e Kuvendit.

“Do jetë marrëdhënie e kushtëzuar, do jetë marrëdhënie e bojkotuar sepse është mosnjohja në mes; do jetë aksion i fortë politik duke qenë brenda parlamentit, përfshirë edhe greva dhe ngujime apo forma të tjera të shprehjes së protestës politike në Parlament; gjithçka është pjesë e vendimmarrjes politike”, përfundon Boçi.

Top Channel