Premier League nis me rregulla të reja! Portieri mban topin me duar për më shumë se 8 sekonda, ja vendimi që mori arbitri

16/08/2025 17:01

Premier League ka hyrë në një epokë të re me rregulla të forta kundër humbjes së kohës, dhe portieri sllovak Martin Dubravka u bë lojtari i parë që e pësoi nga zbatimi i tyre.

Në ndeshjen mes Burnley dhe Tottenham, vetëm katër minuta pas fillimit, arbitri kryesor Michael Oliver ndëshkoi Dubravkën për mbajtjen e topit më gjatë se 8 sekonda – limiti i ri i vendosur për portierët.

Dubravka, i cili debutoi me fanellën e Burnley pas transferimit nga Newcastle, u gjykua se vonoi lirimin e topit dhe si ndëshkim arbitri akordoi një goditje nga këndi për Spurs, sipas rregullit të ri. Fatmirësisht për Clarets, mbrojtja arriti ta pastrojë zonën.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Tottenham kaloi në avantazh me golin e Richarlison, pas një krosimi të ardhur nga afrimi i ri Mohammed Kudus.

Ky është një nga ndryshimet më të rëndësishme që po zbatohen këtë sezon nga PGMOL (organizatë përgjegjëse për arbitrat në Angli), me synim të rritet koha efektive e lojës dhe të reduktohet humbja e panevojshme e saj.

Sipas udhëzimeve, arbitri sinjalizon momentin kur portieri vendos topin në kontroll dhe nis numërimin në mendje deri në 8, ndërsa paralajmëron me dorë portierin se koha po mbaron.

Ndryshimet nuk ndalen këtu. Arbitrat janë udhëzuar gjithashtu të jenë më të ashpër ndaj: mbajtjes dhe shtyrjes në zonë gjatë goditjeve standarde, simulimeve dhe zhytjeve, ndërkohë që është futur edhe rregulli i ri “vetëm kapitenët”, që do të thotë se vetëm kapiteni mund të diskutojë me arbitrin për vendimet, për të shmangur rrethimin e gjyqtarëve nga lojtarët.

Këto rregulla të reja pritet të krijojnë më shumë debate, ndërsa tifozët e Premier League do të shohin një sezon ku çdo sekondë ka rëndësi.

Top Channel