
Një ngjarje kriminale është parandaluar në Kurbin, pas një sherri mes disa personash ku u përdor edhe armë.
Në pranga është vënë 37-vjeçari me iniciale K. R., alias K. T., teksa në kërkim mbeten katër të tjerë.
“Pas njoftimit për një konflikt fizik ndërmjet disa shtetasve, rreth orës 11:00, në rrugën “Kurbini”, Laç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ndërhyrë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit fizik ndërmjet 5 shtetasve, gjatë të cilit dyshohet se është qëlluar edhe me armë zjarri.
Nga veprimet e shpejta u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. R., alias K. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit “Glock”, me fishek në fole gati për qitje.
Nga të dhënat e para rezulton se shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë konflikt, të identifikuar me iniciale G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë; E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç, banues në Laç, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre”, njofton policia.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.
Top Channel