Opinion nga Kim Mehmeti: Elitat maqedonase kryesisht përbëhen nga bullgarë e shqiptarë ortodoks të serbizuar!

16/08/2025 22:03

Nga Kim Mehmeti

Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet i paqartësive. Kështu për shembull, edhe sot e kësaj dite është e paqartë përqindja e saktë e shqiptarëve të këtushëm dhe nuk dihet nëse ata janë aq saç thonë për vetveten – diku mbi 40 për qind- apo aq saç duken si potencial politikë – edhe më pak se romët?!

Siç është e paqartë për shembull edhe nëse ata që vetveten sot e quajnë maqedonas, e që ‘certifikatën e lindjes ‘ e ndryshojnë sezonalisht,  janë pasardhës të sllavëve të jugut, apo nipër të Aleksandërit të madh dhe të ushtarëve të tij që e pushtuan Babilonin?!

Maqedonia e Veriut është vend ku qytetarët e etnive të ndryshme e gënjejnë njëri tjetrin, si për shembull shqiptarët, të cilët në paraqitjet publike dhe nga foltorja e parlamentit thonë se e duan këtë vend dhe maqedonasit në të, por nëpër ‘odat e burrave’ dhe nëpër këngët e kënduara me qifteli me dy tela thonë se nuk mund ta duash shtetin që çdo katër vjet të kthen atje ku ke qenë para katërdhjetë viteve dhe popullin të cilit i je i mirë vetëm si i vdekur!?

Ndërkohë ata që vetveten sot e quajnë maqedonas, publikisht dhe sa për sy e faqe thonë se duan të ndërtojnë shtet të barabartë për të gjithë që jetojnë në të, por pasi e pinë birrën e tretë dhe në biseda të mbyllura ‘intelektuale’ e thonë se s’ka ç’të duhet shteti që duhet ta ndash me shqiptarët që nuk pranojnë të mbeten atë për çka kanë nevojë maqedonasit: druvarë, barinj dhe kopshtarë!?

Maqedonia është edhe shtet i çudirave ku më e çuditshme është sjellja e politikanëve shqiptarë, të cilët ose janë idiot që nuk e  kuptojnë, ose qyqarë që kanë frikë ta thonë se elitat maqedonase kryesisht janë të përbëra nga bullgarë e shqiptarë ortodoksë të serbizuar. E të cilët, për ta fshehur përkatësinë e vërtet etnike mbulohen me një urrejtje të egër ndaj bullgarëve dhe shqiptarëve.

Duke qenë Republika e Maqedonisë Veriore atdhe i paqartësive, i gënjeshtrave dhe çudirave, ajo me asgjë nuk i ngjanë një shteti normal. Dhe si e tillë ajo mbase edhe vështirë se do mund ndonjëherë të bëhet shtet i mirëfilltë ku asnjëri nuk do këto nevojë as të vetëgënjehet, as t’i gënjejë të tjerët.

Top Channel