
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Diaspora në këtë proces do të votojë vetëm me postë e tashmë ka nisur regjistrimi i votuesve. Të gjithë ata që regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të largohen nga lista e votuesve brenda vendit.
“Një shtetasi Kosovës, që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, KQZ ua transmeton individualisht të gjithë atyre shtetasve të cilët aplikojnë dhe arrijnë që të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, tha Valmir Elezi-zëdhënës i KQZ.
KQZ-ja ka mundësuar edhe kthimin e qytetarëve me të drejtë vote nga lista e votuesve jashtë Kosovës në votimin fizikisht nëse kthehen në vendlindje.
“Mund të kemi ndonjë rast, kur një shtetas i Kosovës, pasi që është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, të kërkojë të çregjistrohet nga kjo mënyrë votimi dhe të kthehet në listën e votuese, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë rast votuesi i regjistruar jashtë Kosovës mund të parashtrojë kërkesë në KQZ, respektivisht te shërbimi votues për t’u kthyer në listën votuese brenda Kosovës dhe kjo mund të bëhet deri në 24 orë para përfundimit të periudhës për kundërshtimin e listës së votuesve, e cila në këtë rast është deri më datë 30 gusht 2025”, vijoi më tej ai.
Periudha për regjistrimin e votuesve nga jashtë ka nisur më 23 korrik e do të zgjasë deri më 29 gusht. Deri më 15 gusht, KQZ ka pranuar 7026 aplikime për të votuar me postë në zgjedhjet lokale.
Sipas të dhënave janë aprovuar 5445 aplikime e janë refuzuar 1581 tjera. Në këto zgjedhje, votuesit do të pranojnë me postë fletëvotimet në adresat e tyre jashtë Kosovës, model ky i praktikuar në Shqipëri.
Votuesit pas votimit do të duhet t’i kthejnë fletëvotimet në kutinë postare të Komisionit Qendror në Kosovë ose edhe ato që do të hapen në shtetet e ndryshme të botës në periudhën 17 shtator deri më 11 tetor.
Top Channel