
Reperi i njohur Sean Kingston është dënuar me tre vjet e gjysmë burg federal në SHBA, pasi u shpall fajtor për një skemë mashtrimi prej mbi 1 milion dollarësh, së bashku me nënën e tij.
Të dy përdorën statusin e tij të famshëm për të përfituar mallra luksoze përmes faturave të rreme bankare.
Këngëtari i hitit “Beautiful Girls”, emri i plotë i të cilit është Kisean Anderson, u arrestua në vitin 2024 në Kaliforni. Ai dhe nëna e tij, Janice Turner, kontaktuan viktima përmes rrjeteve sociale dhe i bindën t’u dorëzonin produkte luksoze – përfshirë një televizor 232 inç, ora të shtrenjta, një Cadillac Escalade antiplumb dhe mobilje – me premtimin se do të bëhej pagesa më vonë.
Në vend të pagesave, viktimat morën fatura të falsifikuara. Nëna e reperit u dënua më herët këtë vit me pesë vjet burg.
Prokurorët thanë se Kingston u premtonte bizneseve reklama në rrjetet sociale dhe referenca nga “personazhe të famshëm”, por nuk paguante për produktet. Shumica e viktimave nuk morën asnjë kompensim – përveç atyre që u drejtuan në gjykatë apo kontaktuan autoritetet.
Një provë kyçe ishte një mesazh me tekst ku reperi i shkruante nënës së tij: “Të thashë të bëje një faturë të rreme”.
Avokatja e Kingstonit deklaroi se reperi, i cili u bë i famshëm në moshë të re, kishte mungesë përvoje në menaxhimin e financave dhe mbeti me një “mentalitet adoleshenti”. Gjatë gjyqit, vetë Kingston kërkoi falje dhe tha se kishte nxjerrë mësime nga gabimet.
Ai pritet të fillojë menjëherë vuajtjen e dënimit në burg federal. Kingston, i njohur për këngë të tjera si “Fire Burning” dhe “Eenie Meenie” me Justin Bieber, e kishte ndërtuar karrierën në mesin e viteve 2000 si një nga artistët më premtues të R&B dhe pop-rap.
Top Channel