E trishtë! Kantautori anulon të gjitha koncertet e tij: Vuaj nga kanceri! Jam i qetë dhe kam besim

15/08/2025 09:40

Kantautori i njohur italian Fabio Concato ka bërë publike gjendjen e tij shëndetësore, duke njoftuar se po përballet me një diagnozë kanceri.

Lajmi u konfirmua nga vetë artisti 72-vjeçar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas ndërprerjes së papritur të koncerteve në fund të muajit qershor.

“Të dashur miq, dua t’ju njoftoj se u detyrova të anuloja koncertet e mia në fund të qershorit për shkak të kancerit,” shkroi Concato. “Po i nënshtrohem trajtimit me shumë vetëbesim dhe jam shumë i qetë. Do t’ju informoj sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkohë, jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë ata që më kanë shkruar duke shprehur shqetësimin dhe dashurinë e tyre. Do të jem në kontakt së shpejti dhe ju dërgoj një përqafim të madh.”

Muajin e kaluar, Concato kishte anuluar të gjitha koncertet e planifikuara për korrik dhe gusht, duke deklaruar se vendimi ishte marrë për arsye shëndetësore dhe nevojë për kontrolle mjekësore të vazhdueshme.

Fabio Concato, i lindur në Milano më 31 maj 1953, me emrin e vërtetë Fabio Piccaluga, është një nga figurat më të dashura dhe të rafinuara të muzikës italiane. Ai u rrit në një familje artistësh dhe nisi karrierën në vitet 1970 me grupin kabare “I mormoranti”, përpara se të niste një rrugëtim solo që do të linte gjurmë të thella në muzikën italiane.

Këngët e tij më të famshme, si “Domenica bestiale”, “Fiore di maggio”, “Guido piano” dhe “Rosalina”, janë bërë pjesë e trashëgimisë muzikore të Italisë, falë melodive elegante, teksteve të ndjera dhe një zëri të ngrohtë që rrëmben publikun.

Në dekadat që pasuan, Concato vazhdoi të eksperimentonte me tinguj të rinj, duke përfshirë edhe jazz-in, si në albumin “Ballando con Chet Baker” (2001), një homazh për legjendën amerikane të xhazit.

Së fundmi, ai ishte angazhuar në një turne të gjatë festiv me titull “Musico Ambulante”, ku rikthente në skenë këngët më të dashura të repertorit të tij, të shoqëruara me histori dhe kujtime nga një karrierë mbi 50-vjeçare.

Mesazhi i tij prekës ka ngjallur reagime të shumta nga fansat dhe bota e artit, të cilët i kanë shprehur mbështetjen dhe dashurinë përmes rrjeteve sociale. Artistit i urohet një rikuperim i shpejtë dhe kthim i shëndetshëm në skenë.

Top Channel