“1 milionë euro dëm në blegtori”/ Ekspertët: U dogjën mijëra bagëti e koshere bletë, shifrat pritet të rriten!

15/08/2025 19:58

Flakët e zjarrit që dogjën fshatrat e Shqipërisë kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në familjet që zjarri u dogji shtëpinë apo gjënë e gjallë.

Demi më tani, vetëm në sektorin e blegtorisë, dëmi përllogaritet te 1 milion euro, pasi sipas të dhënave janë djegur 1000 koshere bletë dhe 4000 krerë bagëti, por kjo shifër në ditët e ardhshme mund të jetë shumë herë më lartë, pasi trupa inspektuese e veterinerëve ende nuk ka rritur të shkojë të gjithë fshatrat e djegur.

“Për të bërë një përllogaritje të thjeshtë, duke pasur parasysh që një koshere bletësh shkon 250-300 euro, nga 1000 bletë të dëmtuar 300 mijë euro dëm kemi vetëm tek bletët. Nëse llogarisim më pas numrin e blegtorisë së djegur që shkon diku tek 4000 dhe një kokë kushton 150-200 euro vlera e dëmit shkon tek 900 mijë euro”, thotë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

Teksa dimë që do të subvencionohen fermerët për kafshët e djegura, nga ana tjetër ende nuk ka një vendim nëse do të veprohet me të njëjtën formë me ato ferma, ku sëmundja e murtajës u shfarosi delet dhe dhitë. si pasojë e këtij infeksioni, deri më tani janë groposur 2164 të imta.

Por zjarri nuk dogji vetëm shtëpi dhe kafshë, por edhe mijëra hektarë tokë me të mbjella si ullishta apo pemë drufrutore, për këto të fundit ende nuk ka asnjë statike se sa është sipërfaqja e djegur dhe a do të do dëmshpërblehet bujku shqiptar

“Duhet të keni parasysh që 1 hektarë pyll kushton 15-25 mijë euro çdo gjë ka kosto pa llogaritur shtëpitë e djegura”, shpjegon Muço.

Por, zjarret e qëllimshme apo jo, nuk janë një ngjarje e re për Shqipërinë, pasi për çdo verë, mijëra hektarë tokë në vendin tonë pushtohet nga flakët, dhe për këtë sipas ekspertit të ekonomisë, qeveria duhet të jetë gati edhe financiarisht.

” Jo më kot në një raport të Bankës Botërore citohej që Shqipëria duhet të stacionojë 6-8 mld euro që t’i shpenzojë për mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimaterike”.

Reshjet e shiut ndihmuan në fikjen e zjarrit, edhe në ato zona ku ndërhyrja me zjarrfikëse ishte e vështirë.

Top Channel