Ryanair me bazë të re në Tiranë! Investim 300 milionë dollarë, kompania ajrore pritet të hapë 3 mijë vende pune në Shqipëri

14/08/2025 16:18

Ryanair, kompania ajrore me rritjen më të shpejtë në Shqipëri, njoftoi se në prill 2026 do të hapë një bazë të re në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me tre avionë Boeing 737-800.

Ky investim që arrin vlerën 300 milionë dollar parashikon krijimin e mbi 3,000 vende pune në Shqipëri.

“Politikat e qeverisë nën drejtimin e Ramës ulën taksën doganore nga 10 € në vetëm 1 €, që bëjnë një ndryshim të madh për të inkurajuar vizitorë të rinj të vijnë në Shqipëri. Por i rëndësishëm për ne është edhe transformimi i aeroportit. Në pranverën e vitit 2026, do të përfundohet zgjerimi i terminalit, me tetë porta imbarkimi të reja, dhe pa ato nuk do të kishim mundur të rrisnim aktivitetin këtu. Pra, kombinimi i uljes së taksave, zgjerimit të aeroportit dhe vizioni i familjes Kastrati për aeroportin  ka qenë shumë largpamës. Ndaj është ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë dy viteve të fundit si edhe falë rritjes së Ryanair. Ne synojmë që ta mbajmë këtë ritëm në Tiranë”, u shpreh Michael O’Leary, CEO i Ryanair.

Baza e re e Ryan air në Tiranë pritet të ofrojë mbi 450 fluturime çdo javë drejt 33 destinacioneve, duke përfshirë 10 vende të reja: Birmingham, Dublin, Milano, Malta, Napoli, Pescara, Poznań, Trieste, Torino dhe Verona. Do të ketë gjithashtu rritje të frekuencës në nëntë linja ekzistuese, si Bari, Londra, Praga, Stokholmi dhe Varshava. Në planet afatgjata, Ryanair synon të zgjerohet në gjashtë avionë dhe 5 milionë pasagjerë në vit deri në vitin 2030, me më shumë se 20 destinacione të reja.

“Që nga fillimi i operimeve në Shqipëri në nëntor 2023, ekipi i Ryanair erdhi me sloganin ‘Revolucioni i çmimeve të ulëta’. Sot shënojmë një moment kyç në këtë revolucion, duke njoftuar hapjen e një baze në Tiranë. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm veror, do të ketë shumë më tepër mundësi për të eksploruar botën nga Tirana dhe për t’ia prezantuar Shqipërinë turistike edhe më shumë vendeve”, tha Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Për të festuar këtë njoftim, Ryanair ka lançuar një ofertë 3-ditore me çmime duke filluar nga vetëm 24,99 € për udhëtime në tetor–nëntor, të disponueshme në Ryanair.com.

Top Channel