“Pesë muaj pa marrë ilaçe për çrregullimin bipolar…”/ Kim Kardashian zbulon prapaskenat e krizës në martesën me Kanye West

14/08/2025 19:08

Një dokumentar i ri me titull “In Whose Name?” hedh dritë mbi ndikimin e ndryshimeve të sjelljes së Kanye West gjatë martesës me Kim Kardashian, duke treguar momente të ndjeshme dhe të vështira nga jeta e çiftit.

Regjisori Nico Ballesteros, i cili ka nisur të filmojë West që gjashtë vite më parë, ka përmbledhur mijëra orë material që dokumentojnë përkeqësimin e gjendjes së tij mendore, tensionet në marrëdhënie, reagimet ndaj kritikave publike dhe sjelljet gjithnjë e më të çrregullta.

Në një fragment të publikuar, Kanye pranon se ka pesë muaj që nuk merr më ilaçe për çrregullimin bipolar, ndërsa Kim, me zë të përlotur, i thotë:

“Personaliteti yt nuk ka qenë i tillë disa vite më parë”.

Në një moment tjetër, reperi deklaron:

“Më mirë të jem i vdekur sesa të jem në ilaçe”.

Filmi sjell në vëmendje edhe ngjarje të bujshme, si reagimin e Kim në vitin 2020 pas komenteve antisemitike të Kanye-s, kur ajo u shpreh publikisht se ai vuan nga çrregullimi bipolar – një situatë e dhimbshme për t’u pranuar.

Çifti, i martuar nga viti 2014 deri në 2022, ka katër fëmijë së bashku. Pas ndarjes, Kanye është përfshirë në skandale të tjera, përfshirë deklarata të rënda si “Jam nazist” dhe “E dua Hitlerin”, si dhe përpjekjen për të shitur bluza me simbolin e svastikës.

Sipas trailer-it, dokumentari do të zbulojë më shumë rreth sfidave mendore të reperit dhe momenteve që çuan në fundin e martesës, përfshirë skena ku Kim përpiqet të flasë, por ndërpritet në mënyrë agresive nga ai.

Top Channel