
Magnezi konsiderohet nga ekspertët si një nga mineralet më të rëndësishme për shëndetin, duke marrë pjesë në mbi 300 procese enzimatike në trup.
Ai ndihmon në prodhimin e energjisë, funksionimin e muskujve dhe nervave, si dhe në rregullimin e tensionit të gjaku.
Sipas mjekes Heather Viola nga sistemi shëndetësor Mount Sinai në New York, magnezi stabilizon ritmin e zemrës, parandalon aritmitë dhe, së bashku me kalciumin dhe vitaminën D, forcon kockat. Ai gjithashtu përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe metabolizmin e glukozës.
Farmacistja Eleana Quattrocchi nga Universiteti Long Island në Brooklyn shton se magnezi mund të ndihmojë në lehtësimin e kapsllëkut, parandalimin e migrenës dhe reduktimin e simptomave të PMS-it.
Ky mineral gjithashtu luan rol në përmirësimin e gjumit, uljen e stresit dhe parandalimin e ngërçeve muskulore gjatë natës.
Mungesa e magnezit mund të rrisë rrezikun për hipertension, sëmundje të zemrës, diabet të tipit 2, migrenë dhe osteoporozë. Simptomat përfshijnë:
-Pagjumësi
-Ngërçe muskulore
-Kapsllëk
-Të përziera dhe të vjella
-Lodhje dhe dobësi
-Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash
-Ndryshime të personalitetit
– Aritmi kardiake
Në rastet më të rënda, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA (NIH), mungesa e magnezit mund të çojë në ulje të kalciumit ose kaliumit në gjak.
Top Channel