
Pas më shumë se 6 ditësh përballje të pandërprerë me zjarret, situata në Delvinë dhe Gjirokastër është vendosur nën kontroll, megjithatë pasojat janë të rënda dhe vlerësimi i tyre pritet të zgjasë.
Autoritetet theksojnë se bashki të vogla si Delvina dhe Finiqi nuk kanë kapacitete financiare për të përballuar kompensimin e dëmeve të këtyre përmasave.
Zjarret përfshinë rreth 60 kilometra territor në Finiq dhe Delvinë, duke shkatërruar banesa, bagëti, vreshta, ullishte, koshere bletësh, rezerva ushqimore për kafshët, rrjetin e ujësjellësit dhe furnizimin me energji elektrike. Banorë të zonës, edhe më të moshuarit, deklarojnë se nuk mbajnë mend ndonjë situatë të ngjashme më parë.
Zjarrfikësit dhe trupat e Forcave të Armatosura u angazhuan maksimalisht, shpesh duke punuar pa ndërprerje për ditë të tëra, me mungesë mjetesh dhe numrash të mjaftueshëm forcash. E njëjta gjendje ishte edhe për helikopterët që ndërhynë nga ajri, të cilët kryen fluturime të vazhdueshme në kushte të vështira.
Rreth 1000 banorë të evakuuar nga Delvina janë rikthyer në shtëpi për të marrë masa stabilizimi, ndërsa vizitorët janë paralajmëruar të mos i afrohen zonave të rrezikshme deri në një njoftim të dytë.
Parku natyror “Syri i Kaltër” mbetet i mbyllur për publikun. Rreziku i riaktivizimit të zjarreve mbetet i lartë në vatrën mbi Syrin e Kaltër, gjuthashtu mbi fshatin Varfaj, si dhe në majën e Golikut në Tepelenë.
Vatra të tjera që deri dje pasdite ishin aktive, maja e Sopotit mbi Lazarat, faqja e malit mbi fshatin Goricë në Dropull, Lekli, Hormova, Qestorati në Tepelenë dhe Peshtani në Përmet janë tashmë të fikura. Aktualisht, në terren janë të dislokuara të gjitha ekipet zjarrfikëse dhe vullnetare, të cilat po mbajnë nën kontroll çdo pikë të djegur për të shmangur rindezjen e flakëve.
Ndërkohë, ekspertët dhe autoritetet paralajmërojnë se pas shuarjes së vatrave duhet të nisë një hetim i plotë për të përcaktuar përgjegjësitë, për të ndëshkuar zjarrvënësit dhe për të analizuar masat e marra. Pavarësisht angazhimit të jashtëzakonshëm të forcave në terren, përmasat e dëmeve tregojnë se situata, në disa momente kritike, ka dalë jashtë kontrollit për shkak të mungesës së mjeteve, stafit të trajnuar, resurseve dhe një organizimi efektiv.
Top Channel