Premier League/ Merkato “zjarr” në Angli! Donnarumma zgjedh City-n, Liverpool-i kërkon dy mbrojtës, Chelsea pranë akordit me yllin e United

13/08/2025 16:39

Merkatoja e verës në Premier League po merr përmasa të nxehta, me emra të mëdhenj që përfliten për lëvizje të papritura – duke përfshirë edhe një nga portierët më të njohur në Europë: Gianluigi Donnarumma.

Sipas burimeve ndërkombëtare, përfshirë The Guardian’s Rumour Mill, Donnarumma do të largohet nga Paris Saint-Germain këtë verë.

Chelsea, Manchester City dhe Manchester United janë të tria të përmendura si destinacione të mundshme, por sipas asaj që raporton L’Equipe, gardiani ka pranuar akordin me “Qytetarët”, nëse Ederson mund të përfundojë në Galatasaray.

Në anën tjetër të fushës, Liverpool po hedh sytë nga qendra e mbrojtjes. Objektivat përfshijnë kapitenin e Crystal Palace, Marc Guéhi, si dhe talentin premtues të Parma-s, Giovanni Leoni – një qendërmbrojtës 17-vjeçar që po vlerësohet lart në analizat e të dhënave.

Ndërkohë, Eberechi Eze, një tjetër yll i Palace, i cili përflitej për një kalim të mundshëm te Arsenal, i ka surprizuar të gjithë duke zgjedhur të kalojë te Tottenham, teksa tashmë mungon vetëm akordi mes klubeve.

Newcastle, pas një vere të vështirë në merkato, mund të gjejë dritë në fund të tunelit me afrimin e Jacob Ramsey nga Aston Villa. Villa, nga ana tjetër, janë të interesuar për rikthimin e Marco Asensio në formë huazimi nga PSG.

Në sfond, Chelsea përballet me një situatë intriguese me Christopher Nkunku, i cili thuhet se po sheh me interes drejt Bayern Munich, ndërsa në një kthesë të çuditshme, Alejandro Garnacho i Manchester United është përfolur për një transferim… tek Chelsea.

Në fund, vetë United nuk rrinë duarkryq: ata janë të lidhur me një emër që shumë klube do ta donin – Dayot Upamecano i Bayern.

Top Channel