
Të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë, humbën jetën pasi një person i armatosur hapi zjarr në parkingun e një dyqani Target në Austin të Teksasit, SHBA, përpara se të vidhte dy makina dhe të neutralizohej nga policia me një elektroshok, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas shefes së policisë së Austin, Lisa Davis, i dyshuari është një burrë i bardhë rreth të 30-ave, me një histori të mëparshme problemesh mendore dhe precedentë penalë. Emri i tij nuk është bërë ende publik dhe motivi mbetet i paqartë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:15, kur policia u thirr në vendngjarje dhe gjeti tre persona të qëlluar. Dy prej tyre vdiqën menjëherë në vend, ndërsa i treti humbi jetën më vonë në spital. Një person tjetër u plagos, por lëndimet e tij nuk kishin lidhje me armën e zjarrit, sqaroi Robert Luckritz nga Shërbimet Mjekësore të Emergjencës së Qarkut Austin-Travis.
Kapiteni Shannon Koesterer konfirmoi se një nga viktimat ishte një fëmijë, ndërsa dy të tjerët ishin të rritur. Autori u ndalua rreth 20 milje në jug të Austin dhe u arrestua pasi u qëllua me një pajisje elektroshoku.
“Kjo është një ditë shumë e trishtueshme për qytetin tonë,” tha shefja Davis, ndërsa kryebashkiaku i Austin, Kirk Watson, e cilësoi aktin si “të neveritshëm dhe frikacak”.
Target, në një deklaratë publike, u shpreh se është “i shkatërruar nga dhuna” dhe se po bashkëpunon me autoritetet për hetimin. Të shtënat ndodhën në një periudhë të ngarkuar të vitit, kur familjet po përgatiten për kthimin në shkollë.
Dëshmitarë nga vendngjarja përshkruan skena paniku dhe kaosi. Një vizitore, Lonnie Lee, tha: “Ne patëm shumë, shumë fat. Dhe disa njerëz nuk patën.”
Ngjarja vjen vetëm pak më shumë se dy javë pas një tjetër akti dhune në një parking të Walmart në Michigan, ku 11 persona u plagosën nga një sulm me thikë që autoritetet e cilësuan si “akte të rastësishme”.
Kjo ngjarje e rëndë rikthen edhe njëherë vëmendjen mbi dhunën me armë në SHBA, me qytetarë dhe autoritete që kërkojnë masa më të forta për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
Top Channel