
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se shpresat për një armëpushim të pjesshëm dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve nga grupi Hamas kanë përfunduar.
Në një intervistë për televizionin i24, të cituar nga Times of Israel, Netanyahu përmendi edhe deklaratën e Presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilit Hamasi nuk është i gatshëm për një marrëveshje.
“E dëgjuat Presidentin Trump,” tha Netanyahu kur u pyet nëse armëpushimi dhe lirimi i pengjeve mbeten ende një mundësi. “Mendoj se është pas nesh. Kemi bërë gjithçka. Na është bërë e qartë se ata thjesht po na mashtrojnë. Shumë pengje, të vdekur dhe të gjallë, do të mbeten në duart e tyre.” Ai shtoi se dëshiron të gjithë pengjet, “si të gjallët ashtu edhe të rënët”.
Netanyahu njoftoi gjithashtu se Izraeli do t’u lejojë banorëve të Rripit të Gazës të largohen nëse dëshirojnë, duke përmendur se kjo është një praktikë që është ndjekur edhe gjatë konflikteve të tjera në Siri, Ukrainë dhe Afganistan. Ai i bëri thirrje vendeve të tjera që duan të ndihmojnë palestinezët t’u “hapin dyert e tyre” për t’u strehuar.
Ndërkohë, ushtria izraelite përgatit një ofensivë më të gjerë në territor, duke shtuar tensionet në rajon.
Në të njëjtën intervistë, Netanyahu foli për përkushtimin e tij ndaj një “misioni historik dhe shpirtëror” dhe vizionin e tij për “Izraelin e Madh” — një koncept që përfshin territore të ndryshme, përfshirë një shtet të ardhshëm palestinez dhe zona aktualisht pjesë e Jordanisë dhe Egjiptit. Ky term u përdor pas Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe ka ngjallur diskutime të shumta politike dhe ndërkombëtare.
Situata në Rripin e Gazës mbetet shumë e tensionuar, ndërsa Izraeli dhe grupet palestineze janë në një fazë kritike të konfliktit që po godet rëndë civilët në të dyja palët.
Top Channel