Kriza te kampionët e Europës vazhdon! Donnarumma do largohet nga PSG, në lojë futet edhe… Guardiola

12/08/2025 16:23

Paris Saint-Germain ka befasuar opinionin sportiv duke përjashtuar portierin italian, Gianluigi Donnarumma, nga ekipi për ndeshjen e Superkupës së Europës ndaj Tottenhamit.

Vendimi i trajnerit Luis Enrique dhe drejtuesve tregon në mënyrë të qartë se 26‑vjeçari është jashtë planeve të klubit për sezonin e ardhshëm.

Kjo ndodh pasi PSG bëri një lëvizje strategjike duke firmosur me Lucas Chevalier, portierin e Lille që u shpall “Portieri i Vitit” në Ligue 1, rreth shifrës së 40–55 milionë eurove, duke treguar preferencën e klubit për të ardhmen.

Donnarumma, i cili luajti një rol kyç në triumfin historik të PSG-së me Ligën e Kampionëve dhe Ligue 1 sezonin e shkuar, ndodhet në një konflikt të qartë me klubin. Ai ka një vit kontratë, por refuzoi ofertën e rinovimit që përfshinte ulje page dhe bonuse për paraqitje, si dhe ndjeu se po marginalizohet pas ardhjes së Chevalier.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i marrëdhënies tashmë është “krejtësisht i shembur”, dhe largimi i tij duket i pashmangshëm përpara mbylljes së merkatos më 31 gusht

Në një tjetër zhvillim interesant, Manchester City ka kontaktuar PSG-në, duke pyetur për kushtet e një transfere për Donnarumma. Sipas raportimeve, klubi francez dëshiron rreth 40–50 milionë euro, një shifër që ka ardhur si “e lartë” për drejtuesit e “Qytetarëve”.

Megjithatë, City do të veprojë vetëm nëse Ederson largohet, ndërsa ardhja e James Trafford e ka plotësuar tashmë pozicionin e portierit në strukturën e ekipit. Ende nuk ka konfirmim për një ofertë konkrete, por pozicioni i PSG-së mbetet i ngurtë për momentin

Top Channel