Chiesa nuk luan pothuajse kurrë, por i duhet Liverpool-it. Ja çfarë mund të ndodhë tani

12/08/2025 07:46

Liverpool-i i ka bërë të ditur ish-lojtarit të Juventusit se dëshiron ta mbajë, por nëse do të mbërrinte Isak (Newcastle ka refuzuar një ofertë prej 125 milionë eurosh), mes bilancit financiar dhe numrave në skuadër situata mund të ndryshojë.

Një “dush i ftohtë” për Federico Chiesa-n – dhe jo vetëm për të. Kohët e fundit, Interi dhe Napoli kishin vënë sytë tek ai, duke shpresuar tek “mbipopullimi” i skuadrës së Liverpool-it. Sidomos pasi, gjatë turit aziatik, trajneri Slot nuk e mori sulmuesin e ardhur nga Juve, gjë që hapi shpresat e admiruesve të tij në Itali. Në të vërtetë, klubi anglez nuk e ka konsideruar kurrë Chiesa-n si lojtar për shitje. Përkundrazi, burime të afërta me klubin theksonin se ai kishte mbetur në shtëpi vetëm për shkak të disa problemeve muskulore dhe për të ndjekur një program të personalizuar stërvitor, pa ndeshje. Fillimisht kjo u duk si një version “diplomatik” për të ulur zhurmën e merkatos dhe ndoshta për të ndezur një ankand në fund, kur blerësit janë gati të paguajnë më shumë.

Isak, objektivi kryesor – Në ditët e fundit, lojtari toskan ka pasur një bisedë direkte me trajnerin, ndërsa agjenti i tij, Ramadani, është takuar me drejtuesit e Liverpool-it. Përgjigjet kanë qenë të njëjta: Federico i nevojitet klubit, pasi lëvizjet e fundit të merkatos kanë ulur numrin e lojtarëve të krahut në skuadër. Megjithatë, me 20 ditë para mbylljes së merkatos, është ende herët për të dhënë një verdikt përfundimtar. Në ndërkohë, Liverpool-i po zhvillon një betejë shumë të shtrenjtë me Newcastle për të siguruar shërbimet e sulmuesit suedez Alexander Isak. Ky është operacioni kryesor i javëve të fundit dhe rrezikon të jetë transferimi më i shtrenjtë i verës në Europë. Pronaret sauditë të Newcastle kanë refuzuar tashmë një ofertë prej 125 milionë eurosh për qendërsulmuesin. Sigurisht, Chiesa ka tipare krejt të tjera, por nuk përjashtohet që në fund Liverpool-i të marrë në konsideratë një ofertë për të. Aktualisht, semafori është i kuq.

Napoli, pasi humbi Ndoye-n që shkoi te Nottingham Forest, po kërkon në Premier League një lojtar krahu që të bëjë diferencën në krahun e majtë – dhe Chiesa do t’i përshtatej shumë mirë Contes. Nga ana e tij, lojtari do të kthehej me dëshirë në Itali për të pasur një rol kryesor dhe për të luajtur për një vend titullari edhe me kombëtaren. Edhe Interi e ka marrë në konsideratë opsionin e tij, pasi ai u bë i njohur që në kohën te Fiorentina. Por ky “stop” i Liverpool-it u komplikon planet të gjitha klubeve italiane – të paktën për momentin.

Top Channel