Përkeqësohet situata te “Syri i Kaltër”/ Evakuohen mbi 500 turistë, nisen drejt zonës dy avionë “Canadair”

11/08/2025 17:18

Situata në Parkun e Syrit të Kaltër është përkeqësuar pas përhapjes së flakëve.

Mbi 500 turistë janë evakuuar nga zona, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për neutralizimin e vatrës.

Aktualisht po operon një helikopter “Black Hawk” me hedhje të vazhdueshme uji. Zona është e mbuluar me pisha, çka e bën rrezikun për përhapje edhe më të madhe.

“Nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi, zjarri mund të marrë përmasa katastrofike për zonën tonë,” deklaroi nënprefekti i Vlorës, Kristaq Kiço. Ai tha se që prej mëngjesit forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencës janë angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve, të ndihmuara nga era dhe temperaturat e larta.

Dy avionë “Canadair” janë nisur nga Greqia për të ndihmuar në shuarjen e vatrave në Leshnicë dhe pranë Syrit të Kaltër.

Për shkak të situatës, është vendosur sërish bllokimi i rrugës nacionale drejt Qafës së Muzinës dhe po bëhet largimi i vizitorëve nga parku i Syrit të Kaltër.

Nga ana tjetër, rreziku për fshatin Dhrovjan është shmangur, ndërsa flakët janë drejtuar drejt lartësisë së malit.

Autoritetet po marrin masa për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në drejtim të Bashkisë së Dropullit.

Vendi ynë ndodhet prej javësh në luftë me flakët pasi temperaturat e larta dhe erërat në disa zona favorizojnë përhapjen e zjarreve. Situata është veçanërisht kritike në jug të vendit.

Top Channel