“Kokteji molotov” po përhap zjarret, shkencëtarët ngrenë alarmin: Evropa Jugore mes të nxehtit vdekjeprurës

11/08/2025 19:16

E gjithë Evropa Jugore po përballet me një valë ekstreme të nxehti, me temperatura që arrijnë deri në 44 gradë celsius, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë për një kombinim vdekjeprurës kushtesh klimatike, të cilin e kanë cilësuar si një “koktej Molotov”, që po nxit përhapjen e zjarreve të mëdha në rajonin e Mesdheut.

Në Francë, Météo-France vendosi mbi gjysmën e territorit të vendit në alarm për valën e të nxehti. Të dielën u vu nën kontroll zjarri më i madh që nga viti 1949, teksa autoritetet konfirmuan vdekjen e një personi, ndërsa 20 zjarrfikës dhe pesë civilë mbetën të plagosur. Në Spanjë, autoritetet paralajmëruan për “rrezik ekstrem”, duke lëshuar alarme të verdha dhe portokalli në pjesën më të madhe të vendit.

Në këto vende parashikohen temperatura mbi 40°C gjatë ditëve në vijim, ndaj autoritetet iu bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, duke theksuar se disa pjesë të kontinentit pritet të përjetojnë një valë të nxehti “shumë intensive, madje edhe të jashtëzakonshme”. Ekspertët janë alarmuar nga temperaturat ekstreme, ndërsa zjarrfikësit përballen me vështirësi në përballimin e zjarreve të egra.

Cristina Santin Nuno, shkencëtare për zjarret në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Spanjës, thotë se numri i madh i zjarreve ishte i pritshëm pas një pranvere të lagësht që ndihmoi në rritjen e bimësisë, e cila më pas u tha nga i nxehti ekstrem, erërat e forta dhe mungesa e gjatë e reshjeve.

“Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se është relativisht e lehtë që një shkëndijë të ndezë zjarrin në këto kushte, atëherë kemi të gjithë përbërësit e një ‘koktej Molotov’, që po e shohim aktualisht”, tha ajo.

Meteorologët francezë njoftuan se të hënën dhe të martën pritet të thyhen rekorde të temperaturave, sidomos në jugperëndim, ku temperaturat do të kalojnë 42°C. Sipas shkencëtarëve, planeti është ngrohur me rreth 1.4°C për shkak të ndotjes nga karburantet fosile.

 

Top Channel