I ndërtuar në kulmin e epokës etruske në shekullin e 6-të para Krishtit, gërmimet nxjerrin vendin e shenjtë në Itali

11/08/2025 09:37

Gërmimet arkeologjike në vendin e shenjtë qendror etrusk në Itali, Fanum Voltumnae, kanë nxjerrë me sa duket në dritë objekte të rëndësishme fetare.

Objektet e gjetura mundësojnë të nxirren përfundime rreth ritualesh që datojnë më shumë se 2,500 vjet më parë. Sipas njoftimeve të mediave italiane këtë javë në periferi të qytetit të Orvietos u zbuluan dy koka deshësh prej guri të ruajtura mirë, një kokë luani, altarë të mëdhenj dhe një rrugë e gjerë procesioni.

Vendi i shenjtë i federatës së qytetit etrusk pranë Orvietos, i cili ka përmasa të mëdha, u zbulua në fillim të viteve 2000 gjatë gërmimeve të udhëhequra nga arkeologia Simonetta Stopponi.

Që nga ajo kohë gërmimet kanë vazhduar. Mendohet se ky vend i shenjtë është ndërtuar në kulmin e epokës etruske në shekullin e 6-të para Erës sonë.

Etruskët u vendosën në Italinë qendrore nga shekulli i 9-të deri në shekullin e parë para Erës sonë. Origjina e tyre është ende e paqartë dhe gjuha dhe feja e tyre janë studiuar vetëm pjesërisht.

Periudha nga shekulli VII deri nё shekullin V para Krishtit ishte epoka e lulёzimit tё etruskёve. Historiani i antikitetit Dionisi i Halikarnasos i admironte ata si “mё tё hershmit dhe krejt tё ndryshёm nga popujt e tjerё”.

Studiuesit edhe sot e kёsaj dite debatojnё pёr prejardhjen e etruskёve. Shumica mbron tezёn, se ata e kanё prejardhjen nga Azia e Vogёl (nё Turqinё e sotme) prej nga kanё emigruar. Tё tjerё i konsiderojnё si njё fis tё ngulitur prej kohёsh nё territorin e sotёm tё Italisё, i cili ishte zhvilluar me kalimin e kohёs. Megjithatё analizat e ADN-sё sё popullsisё nё Toskanё mbёshtesin tezёn e parё.

Etruskët u mundën nga romakët, të cilët e asimiluan popullin etrusk dhe kulturën e tyre derisa sa ata u zhdukën si grup i pavarur etnik gjatë Republikës Romake./ DW

Top Channel