
Sihat Karamanaj, një i ri nga fshati Rroms në Mallakastër, i rikthyer nga emigrimi prej dy vitesh, po përballet me probleme ekonomike.
Ai ka investuar në bujqësi, duke kultivuar perime në tokat e tij dhe në sipërfaqe të marra me qira, por prodhimet po rrezikojnë t’i kalben në fushë për shkak të mungesës së tregut.
Karamanaj tregon se ka mbjellë 2.5 hektarë me bostan, prodhim krejtësisht bio, i plehëruar vetëm me pleh organik. Por, pavarësisht cilësisë së lartë, nuk po arrin ta shesë as me 30 lekë për kilogram – një çmim që nuk mbulon as kostot e prodhimit.
“Vjet e kam shitur me 50 lekë, sivjet s’po e shes dot fare. Kam rreth 250 ton bostan në fushë që rrezikon të kalbet. Ky lloj prodhimi nuk mban më shumë se dy javë pasi piqet”, shprehet ai.
Përveç mungesës së tregut, ai ndeshet edhe me vështirësi burokratike. Si shumë fermerë në zonë, ai punon edhe toka të marra me qira, por për shkak të fragmentarizimit të pronësisë dhe mungesës së dokumenteve zyrtare, nuk mund të përfitojë nga asnjë skemë subvencioni.
“Në këtë zonë çdo familje ka vetëm 1 dynym e gjysmë tokë. Të gjithë kanë ikur jashtë dhe nuk kam ku t’i gjej pronarët për të firmosur dokumentet. Kam dalë me humbje që kur jam kthyer nga emigrimi, dhe në këto kushte jam i detyruar të mendoj të largohem përsëri.”
Ky fermer i ri kërkon ndërhyrje nga shteti si rregullator i tregut dhe lehtësim të procedurave për aplikim për subvencione, edhe për ata fermerë që punojnë toka me qira.
Top Channel