“Pele palestinez” u vra nga sulmet e Izraelit, ylli i Liverpool sulmon UEFA-n: Pse nuk mund të thuhet si vdiq, ku dhe pse?

10/08/2025 15:53

Sulmuesi i Liverpool-it Mohamed Salah ka kritikuar publikisht UEFA-n për komunikatën e saj në nderim të “Pelé-s palestinez” Suleiman al-Obeid, ku nuk përmendej fakti që, sipas Federatës Palestinase të Futbollit, ai u vra nga të shtënat e forcave izraelite gjatë shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës.

“Pse nuk mund të thuhet si vdiq, ku dhe pse?”, shkroi Salah në rrjetet sociale. Ai kishte kërkuar edhe në tetor 2023 leje për hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, duke apeluar për fundin e “masakrave” në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

Suleiman al-Obeid, ish-lojtar i kombëtares palestineze me 24 ndeshje ndërkombëtare dhe mbi 100 gola në karrierë, ishte 41 vjeç dhe baba i pesë fëmijëve. Sipas Federatës Palestinase, deri tani 321 futbollistë palestinezë janë vrarë në luftën që shpërtheu pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Liverpool nuk pritet ta ndëshkojë Salah-un për deklaratat e tij, dhe ai pritet të jetë i grumbulluar për ndeshjen e parë zyrtare të sezonit, Community Shield, këtë të diel ndaj Crystal Palace.

Top Channel