“Duhet rithemelim i dytë”, Ish-deputeti Çollaku propozon një foltore të madhe për të shpëtuar PD-në

09/08/2025 15:07

Disfata elektorale e 11 majit po prodhon disa linja mendimi ndryshe në Partinë Demokratike, të cilat bashkohen në një pikë, nevojën për shkundjen e partisë më të madhe të opozitës  nga themelet. 

“Realisht nëse do kishte kuptim një Rithemelim i 2-të i PD-së do ishte ky momenti. Në radhë të parë për ta kthyer PD-në në ato shinat identitare që u krijua. Një parti ku kritika ishte oksigjen i saj dhe pastaj patjetër një riformatim i plotë organizativ, strukturor të lidershipit”, u shpreh ish-deputeti i PD-së, Kreshnik çollaku

Humbja e thellë është një arsye e mjaftueshme për zërat kritik që Sali Berisha të largohet. Ferdinand Xhaferaj ishte i pari që paralajmëroi në Top Channel nisjen e një foltoreje, por Kreshnik Çollaku mendon ndryshe. Ai kërkon që askush të mos përjashtohet nga procesi i rithemelimit të dytë te partisë.

“Unë mendoj se çdokush edhe Berisha, por dhe çdokush tjetër që ka kontribuar në PD, që nga 1990, ish-zyrtarë të lartë, drejtues të PD-së etj. Duhet të krijojnë një Kuvend, një Foltore të madhe që realisht të mendojmë çfarë bëmë mirë, çfarë bëme keq dhe çfarë duhet bërë për ta shpëtuar këtë forcë duke dhënë secili eksperiencën dhe kontributin e vet. Sigurisht që një faktor si Sali Berisha nuk mund te përjashtohet nga kjo analize racionale”, u shpreh Çollaku.

“Neni Basha” që i jep fund mandatit të kryetarit po i qëndron si hije mbi zyrë Sali Berishës, por për ish-deputetin demokrat statuti nuk duhet të tundet si flamur triumfi nga asnjëra pale.

Unë se di çfarë do bëjë Berisha me nenin e statutit të cilin vetë e shkruajti në një moment konflikti te brendshëm, një statut i shkruar në inat, ai do duhet ta zgjidh dhe mendoj do e zgjidh vetë këtë ngërç. Kurse këto lëvizjet taktike, Berisha mos të ike se na mbron ofiqet ose Berisha ik ti se vijmë ne 20 apo 30 të tjerë dhe marrim ofiqet, të dyja mund të jenë lojëra karrierash, por nuk i shërbejnë PD-së.”, tha ish-deputeti.

Kreshnik Çollaku, i cili garoi ne listën e hapur, nuk ia doli të rinovojë mandatin. E ndërsa vjeshta po troket për kolegët e tij,  ai iu sugjeron një formë të re proteste.

“Në rast se është farsë, parlamenti është monist duhet trajtuar si i tillë. Nuk jam as për djegie mandatesh, as për bojkot. Jam për bllokim mandatesh, ka një procedurë. Deputetët e opozitës mund të paraqiten, të marrin mandatet, të paraqiten pas 6 muajsh dhe te garantojnë mandatet për të treguar se ky është Parlament monist”, përfundoi Çollaku.

Top Channel