
Me qëllim rritjen e rezervës valutore si dhe frenimin e dobësimit të monedhës europiane, Banka e Shqipërisë ka tërhequr deri në fillim të gushtit mbi gjysmë miliardë euro nga tregu.
Përmes ankandeve të njoftuara të cilat realizohen pothuajse çdo muaj sipas një renditje kalendarike si dhe atyre jashtë radhe, Banka Qendrore bleu mbi 500 milionë euro. Kjo sasi e tërhequr nga tregu pritej të sillte ndryshime në kursin e këmbimit në harkun e 8 muajve.
Por në një analizë të tregut valutor vihet re se përveç disa luhatjeve para sezonit veror monedha europiane ka vijuar tatëpjetën.
Nga një maksimum për vitin 2025 në 100.06 lekë në fund janari, euro vijoi rënie por edhe me disa luhajte duke arritur në 99.63 lekë në prill. Por hyrja në sezonin veror bëri që euro të zhvlerësohej ndjeshëm me 1.67 lekë deri në fund të muajit maj.
Kulmi i sezonit veror me ardhjen e turistëve duke shtuar më shumë euro në treg e dëmtoi dhe më shumë këmbimin e saj duke arritur kështu në minimume të reja. Sipas Bankës së Shqipërisë euro në përditësimin më të fundit u tregtua për 97.22 lekë, vlera më e ulët ndonjëherë. Vetëm në 8 muaj euro është zhvlerësuar me 2.84 lekë.
Çka tregon se edhe këto masa të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë nuk kanë ndihmuar në një ringritje të euros por mbajtjen e një balance të qëndrueshme.
Sasia e lartë e euros në Shqipëri vjen kryesisht nga turizmi, investimet e huaja, remitancat dhe paraja informale.
Objektivi i Bankës së Shqipërisë për vitin 2025 është të blejë nëpërmjet ankandeve 270-350 milionë Euro.
Top Channel