Analiza/ Eduard Zaloshnja: Banka e Shqipërisë mund të sigurojë rezervë valutore për 12 muaj importe

09/08/2025 10:05

Nga Eduard Zaloshnja

Aktualisht rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë e ka kaluar shifrën 6 miliardë Euro. Me një rezervë të tillë mund të mbulohen të gjitha importet e rreth 8.5 muajve, në rast të një situate emergjente. (Në fakt, rezerva valutore mbahet edhe për raste emergjente të pagesave fiskale në valutë ose të tronditjeve të forta në tregun valutor, por në literaturën ekonomike muajt e importeve përdoren si tregues kryesor.)

Suvjet Banka e Shqipërisë mund të blejë valutë në tregun shqiptar valutor me kosto më të ulët se në vitet e mëparshme. Aktualisht në tregun e lirë valutor 1 Euro mund të blihet me vetëm 96,5 lekë (kursi më i ulët qysh nga krijimi i euros); 1 Dollar mund të blihet me vetëm 83 lekë (kursi më i ulët në dekadën e fundit); 1 Pound mund të blihet me 112 lekë (kursi më i ulët historik); 1 Frangë Sviceriane mund të blihet me 103 lekë (kursi më i ulët në dekadën e fundit).

Në qoftë se llogaritet një mesatare e thjeshtë arithmetike e kursit të këmbimit të katër valutave kryesore në tregun shqiptar, kursi i këmbimit rezulton sot 1 me 100.5.  Ndërsa në qoftë se llogaritet një mesatare e ponderuar (bazuar në volumin e tregëtisë së jashtme), kursi i këmbimit rezulton sot 1 me 97,2 – kursi më i ulët historik!

Duke parë aktivet e shëndosha në bilancin e Bankës së Shqipërisë, mund të thuhet se ka vend për një fushatë të fuqishme blerjesh të valutës në tregun shqiptar nga ana e saj. Objektivi i një rezerve valutore që mund të mbulojë 12 muaj importe, është mëse i arritshëm në një situatë kaq të favorshme në tregun e brendshëm valutor. Një rezervë e tillë do të ishte një parapritë e mirë për çdo emergjencë valutore-financiare në të ardhmen.

Ndërkohë, një fushatë e tillë do ta stabilizonte kursin euro- lek në nivelin 1 me 100. Një kurs që do të ndihmonte gjthë industrinë e turizmit dhe eksportuesit shqiptarë, që punësojnë dhjetra mijëra shtetas me të ardhura të ulta

Top Channel