
Hajdutët vjedhin kukullat ikonike Labubu me vlerë dhjetëra mijëra dollarë nga një dyqan në Los Angeles.
“Ata morën një shumë të madhe, ndoshta rreth 30,000 dollarë ose më shumë nga inventari,” tha Joanna Aventano, bashkëpronare e dyqanit One Stop Sales. “Kemi punuar shumë për të arritur në këtë pikë, dhe që dikush të vijë e të marrë gjithçka, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, është shumë zhgënjyese.”
Sipas Aventano, një kamion i dyshimtë ishte parë i parkuar jashtë dyqanit të martën në mbrëmje. Ajo beson se hajdutët po ndiqnin llogarinë e dyqanit në rrjetet sociale, pasi sapo ishte njoftuar një dërgesë e re me kukullat Labubu – të cilat shiten menjëherë sapo mbërrijnë.
Në një video sigurie të postuar nga dyqani, katër persona shihen duke larguar kutitë me produktet më të kërkuara. Zyra e sherifit lokal raportoi se vjedhja ndodhi në orën 01:29 të mëngjesit të së mërkurës dhe se çështja është aktualisht nën hetim. Policia njoftoi gjithashtu se hajdutët përdorën një automjet, i cili u gjet i braktisur pak më vonë.
Ndërkohë që policia vlerëson se vlera e kukullave të vjedhura është rreth 7,000 dollarë, shuma e saktë mbetet e paqartë. Kjo për shkak se çmimet ndryshojnë ndjeshëm në varësi të faktit nëse kukullat shiten me pakicë apo në tregun e rishitjes. Sipas faqes së internetit të dyqanit, çmimet e tyre shkonin deri në 500 dollarë për njësi. Kërkesa e lartë ka çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve nga rishitësit, duke nxitur gjithashtu një treg të zi të mbushur me falsifikime.
Kukullat Labubu prodhohen dhe shiten ekskluzivisht nga kompania Pop Mart, dhe kanë fituar një bazë të gjerë fansash në mbarë botën. Popullariteti i tyre u rrit ndjeshëm pasi figura të famshme, si Rihanna, janë fotografuar me to.
Top Channel