
Rritja e konsumit si pasojë e sezonit veror edhe turizmit, argëtimi por dhe blerjet në veshje kanë shtrenjtuar më shumë çmimet në muajin korrik.
Inflacioni ose thënë ndryshe treguesi i ndryshimit të çmimeve në harkun e një viti arriti në 2.5% muajin që shkoi. Niveli më i lartë në 17 muaj.
Çmimet tek ushqimet qëndruan edhe më të larta se inflacioni total në vend. Konkretisht muaji korrik i shtrenjtoi me 3.2%. Brenda grupit të ushqimeve vajrat dhe yndyrat patën rritjen më të lartë të çmimeve. As perimet nuk mbeten pas për çmime te kripura, ndërsa i lartë inflacioni qëndron edhe tek qumësht, djathë dhe vezë, mish, fruta e peshk.
Turizmi medoemos ka ndikuar ndjeshëm jo vetëm tek ushqimet por dhe argëtimi e kultura dhe pijet alkoolike. Qiratë gjithashtu u shtrenjtuan ndjeshëm në harkun e një viti sipas INSTAT me 3%. Në këtë valë të rritjes së çmimeve inflacioni tek baret, restorantet dhe hotelet arriti në 2%.
Pozitivisht në treguesin e ndryshimit të çmimeve ndikoi vetëm transporti i cili vijon me një rënie 0.4%.
Inflacioni sipas Bankës së Shqipërisë nga një këndvështrim i përgjithshëm është një “superprodhim” i parasë, i cili në njërën anë, në mënyrë të dukshme rrit çmimet e mallrave dhe në anën tjetër ul fuqinë blerëse të parasë. Banak e Shqipërisë nëpërmjet politikës monetare ka si qëllim mbajtjen e këtij treguesi në objektivin prej 3%. Sipas Bankës qendrore inflacioni pritet që deri në fund të vitit të arrij synimin e vendosur.
ECURIA E INFLACIONIT
(Burimi: INSTAT)
Janar 1.9%
Shkurt 1.9%
Mars 2.1%
Prill 2.3%
Maj 2.2%
Qershor 2.4%
Korrik 2.5%
INFLACIONI TEK USHQIMET
(Burimi: INSTAT)
Vajra dhe yndyrna 6.7%
Zarzavate 5.4%
Qumësht, djathë, vezë 3.8%
Mish 3.5%
Fruta 1.8%
Peshk 1.4%
KATEGORITË QË NDIKUAN NË INFLACION
(Burimi: INSTAT)
Argëtim, kulturë 7.7%
Ushqime dhe Pije joalkoolike 3.2%
Qira, ujë, lëndë djegëse 3%
Mobilim 2.7%
Hotele, kafe, restorante 2%
Veshje dhe këpucë 0.9%
Top Channel