I ndërpritet kempi pas 25 vitesh! Gruaja që nuk mund të ecë kërkon ndihmë: Me çfarë mund të ushqehem?

07/08/2025 12:36

Blerina Kapollari kjo 40-vjeçare nga Fieri, me aftësi të kufizuara të nivelit të parë, është përjashtuar këtë vit nga skema e përfitimit të pensionit të invaliditetit, ndonëse e ka përfituar prej 25 vitesh.

Gruaja vuan nga një sëmundje e rëndë që nga fëmijëria dhe nuk është e aftë për punë. Ajo tregon se çdo vit ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar sipas procedurave, përfshirë edhe raportet mjekësore të përcaktuara nga ligji.

Por pavarësisht kësaj, Drejtoria Rajonale për Personat me Aftësi të Kufizuar në Fier ka vendosur ta përjashtojë nga skema, duke i hequr të drejtën e pensionit.

Ajo shprehet se është përballur me një trajtim të padenjë edhe gjatë vlerësimit mjekësor:

“Vajta në komisionin mjekësor, por njëra nga doktoreshat nuk ishte fare, ndërsa tjetra më priti me nerva dhe nuk më dha asnjë informacion. Arrita të mësoj vetëm një emër: Gentiana. Dorëzova një ankesë, por më thanë ‘nuk keni punë tek ne, ankohuni ku të doni’. Unë nuk punoj dot, nuk jam e aftë.

Ushqimin ma sjellin të tjerët, lëviz me bastun, kam nevojë për kujdestar. Pensioni që merrja ishte fillimisht 100 mijë lekë, pastaj ma ulën në 77 mijë, dhe tani ma hoqën fare”, u shpreh Blerina Kapollari.

Për Blerinën dhe bashkëshortin e saj Idrizin, i cili përfiton vetëm 1.100 lekë në muaj, ky vendim është i padrejtë dhe ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e tyre ekonomike dhe sociale.

Dy bashkëshortët kërkojnë rivlerësimin e vendimit dhe apelojnë për ndërhyrje të institucioneve përgjegjëse, që Blerinës t’i rikthehet e drejta e përfitimit të pensionit të invaliditetit, i vetmi burim jetese për ta.

Top Channel