I burgosuri pësoi arrest kardiak/ Reagon Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Qëndroi në qeli për 8 ditë pavarësisht shqetësimeve, duhej të trajtohej menjëherë

07/08/2025 13:36

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar mbi humbjen e jetës së të burgosurit Besnik Koçiu në ambientet e IEVP “Jordan Misja”.

Sipas njoftimeve të publikuara në media më datë 26.07.2025, familjarët e shtetasit Besnik Koçiu përmes një letre të hapur bënin apel për hetimin e humbjes së jetës së tij në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja”.

Nisur nga ky njoftim, KShH në datën 29.07.2025 zhvilloi një monitorim në ambientet e IEVP “Jordan Misja”, me qëllim verifikimin e çështjeve të ngritura nga familjarët e të ndjerit.

Viktima ishte akomoduar në IEVP “Jordan Misja” më datë 16.07.2025 dhe që në momentin e pranimit në institucion kishte referuar se trajtohej për disa diagnoza komplekse si: Diabet Mellitus tip. 2, nën insulin, HTA st. IIII, Dislipidemi. Gjithashtu referonte se para 6 muajsh kishte kaluar AVC ischemic akut.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në reagim thekson se i burgosuri duhej të trajtohej menjëherë pas shfaqjes së shqetësimeve dhe diagnozave që kishte.

Në njoftim, Komiteti i Helsinkit shkruan se “rezulton se gjatë ditëve të para të akomodimit të tij (sipas shënimit të Kartelës Mjekësore, të datës 18.07.2025), shtetasi B.K kishte paraqitur ankesa për dhimbje koke, dobësi trupore dhe djegie. Nga kqyrja e dokumentacionit u konstatua se ankesa të tilla ishin të vazhdueshme. Për këtë arsye, më datë 21.07.2025, shtetasi B.K ishte transferuar nga Godina A ku kishte qëndruar deri në atë moment, drejt Godinës B të institucionit, për shkak të kushteve më të mira të akomodimit që ofron.

I paraburgosuri ishte vendosur fillimisht në dhomën nr. 2, bashkë me 3 shtetas të tjerë, por për shkak të gjendjes jo të mirë dhe shqetësimeve që paraqiste, ishte transferuar sërish, kësaj here drejt dhomës nr. 6, ku kishte qëndruar i vetëm. Gjendja e tij jo e mirë shëndetësore, rezulton të ketë qenë e dukshme edhe për punonjësit e policisë në sektor, pasi për datën 22.07.2025, në Librin e Lënies së Detyrave, nga Specialisti i Policisë G.R, ishte lënë shënimi: Të mbahet nën vëzhgim vazhdimisht i paraburgosuri i dhomës nr. 6, kati -1, sektori 2, B.K e të informohet specialisti i informacionit për çdo shqetësim. Megjithatë, nga verifikimet e KShH-së nuk u konstatua të ishin mbajtur praktika të dokumentuara për hapat e ndjekur për mbajtjen e shtetasit B.K nën vëzhgim. Kjo mund të dalë vetëm nga një verifikim i kujdesshëm i kamerave të sigurisë të vendosura në korridorin ku ndodhej dhoma ku i paraburgosuri ishte akomoduar.

Mbrëmjen e datës 23.07.2025, në Librin e aktivitetit 24 orësh ishin mbajtur shënime se në orën 20:45, i paraburgosuri B.K ishte pa qejf. Në orën 21:00 dhe 22:05 kishte shkuar në dhomën e tij ndihmës mjekja e cila i kishte matur tensionin. Rezulton që prej këtij momenti, për afro 9 orë deri mëngjesin e nesërm kur është gjetur pa ndjenja nuk ka asnjë praktikë që të dokumentojë njoftimin e mëtejshëm të gjendjes së tij shëndetësore nga ana e stafit policor apo atij shëndetësor.

Punonjësit e turnit të parë, në orën 7:00 të datës 24.07.2025 kishin konstatuar se shtetasi B.K i akomoduar në dhomën nr. 6 nuk reagonte kur i flisnin. Ishte lajmëruar menjëherë përgjegjësi si dhe ndihmës mjekja, e cila kishte hyrë në dhomë në orën 07:03. Në orën 07:05 ishte kryer shoqërimi i tij drejt urgjencës së QSUT-së, ku prej mjekut të urgjencës ishte konkluduar se i paraburgosuri B.K kishte bërë Exitus letatis (vdekje) me diagnozën: Suspect Arrest Kardiak.

Nga monitorimi i mësipërm, rezulton se shtetasi ka qëndruar i akomoduar në IEVP “Jordan Misja” për rreth 8 ditë, por pavarësisht kërkesave të tij të përsëritura për t’u dërguar në spital, një gjë e tillë nuk ishte realizuar për shkak se sipas konstatimeve të personelit mjekësor parametrat e tij ishin normalë dhe ishte rekomanduar kryerja e ekzaminimeve laboratorike të tij në vijim. KShH ngre pikëpyetje për faktin që diagnozat komplekse të këtij shtetasi si dhe vuajtjet e tij të vazhdueshme të komfirmuara edhe nga të paraburgosurit që ndanë dhomën me të, kërkonin një reagim të shpejtë për ekzaminim dhe trajtim të specializuar të tij menjëherë pas pranimit të tij në IEVP.

KShH vëren se ekzaminimi dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e gjendjes shëndetësore të shtetasve që akomodohen në ambientet e institucioneve të privimit të lirisë, është detyrim që buron edhe nga nenet 15 dhe 20 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, pikërisht me qëllim parandalimin e rasteve të humbjes së jetës apo vetëvrasjeve. Shërbimi i kujdesit shëndetësor duhet të sigurohet 24 orë dhe në rast sëmundjesh, të cilat nuk mund të diagnostikohen apo kurohen në këto institucione, shtetasve të burgosur u njihet e drejta e transferimit pranë Qendrës Spitalore të Burgjeve apo Qendrës Spitalore Universitare Tiranë. Referuar parashikimeve të nenit 41 të ligjit nr. 81/2020, personeli mjekësor i IEVP-ve ka detyrën të evidentojë dhe njoftojë menjëherë për sëmundjet që kërkojnë trajtim të specializuar.

Në këtë drejtim vlen të përmendim edhe standartet e elaboruara nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, e cila pavarësisht se vëren se “përshtatshmëria” e ndihmës mjekësore mbetet elementi më i vështirë për t’u përcaktuar në sistemin e burgjeve, ajo udhëhiqet nga testi i kujdesit të duhur, duke patur në konsideratë mjetet që shteti ka ndjekur dhe jo rezultatin. Sipas nenit 3 të Konventë (KEDNJ), vlerësohet nëse autoritetet përkatëse vendase kanë marrë në kohën e duhur të gjitha masat mjekësore të arsyeshme të mundshme në një “përpjekje të ndërgjegjshme për të penguar zhvillimin e sëmundjes në fjalë (Goginashvili kundër Gjeorgjisë, 2011, § 71). Vetë fakti që një i paraburgosur vizitohet nga një mjek dhe i përshkruhet një formë e caktuar trajtimi nuk mund të çojë automatikisht në përfundimin se ndihma mjekësore ishte e mjaftueshme (Hummatov kundër Azerbajxhanit, 2007, § 116). Autoritetet duhet gjithashtu të sigurojnë që kur është e nevojshme nga natyra e një gjendjeje mjekësore, mbikëqyrja të jetë e rregullt dhe sistematike dhe të përfshijë një strategji gjithëpërfshirëse terapeutike që synon trajtimin adekuat të problemeve shëndetësore të të paraburgosurit ose parandalimin e përkeqësimit të tyre, në vend që t’i adresojë ato në bazë simptomatike (Amirov kundër Rusisë, 2014, § 93).

KShH bën thirrje për verifikime të mëtejshme, objektive dhe të gjithëanshme nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me ngjarjen, për identifikimin e përgjegjësive sipas rastit dhe parandalimin e rasteve të tjera të ngjashme në të ardhmen.

Në përfundim, KShH vëren me shqetësim të thellë se politika penale e ndjekur në vijimësi nga sistemi ynë i drejtësisë përkundrejt përdorimit të tepruar të masës së sigurisë “arrest në burg” vijon të jetë problematike. Nuk është hera e parë që shtetas me probleme të rënda shëndetësore dhe që nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore apo të veprës penale për të cilën hetohen, humbasin jetën në sistemin e paraburgimit. Kjo politikë është jo në përputhje me standardet ndërkombëtare të cilat inkurajojnë me forcë mos përdorimin e masave shtrënguese të kufizimit të lirisë gjatë hetimeve, veçanërisht kjo duke pasur parasysh në rastin konkret historikun mjekësor të shtetasit B.K”.

Top Channel