Itali, autori i vrasjes së studentes 22-vjeçare në Siçili kryen vetëvrasje në burg

06/08/2025 21:43

Stefano Argentino, i cili ishte lënë në paraburgim me akuzën e vrasjes së shoqes së tij të klasës Sara Campanella, u gjet i vdekur këtë pasdite në qelinë e tij në burgun e Mesinës.

I riu, i cili u akuzua se e kishte vrarë me thikë Campanellën më 31 mars, dyshohet se kreu vetëvrasje duke u varur pasi u nda nga dy të burgosurit e tjerë.

Sipas informacioneve nga Corriere della Sera, Argentino kishte treguar më parë tendenca vetëvrasëse dhe për këtë arsye ishte vendosur nën mbikëqyrje të rreptë. Kohët e fundit, megjithatë, ai ishte kthyer në një qeli me dy të burgosur të tjerë, gjë që u interpretua si një shenjë se gjendja e tij po stabilizohej.

Tentativa për vetëvrasje ndodhi rreth orës 5:00 të pasdites. I riu u nda nga të burgosurit e tjerë dhe u gjet më vonë nga policia e burgut, e cila, pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta sjellë në jetë, nuk mundi ta shpëtonte.

Prokuroria Publike e Mesinës ka nisur tashmë një hetim mbi rrethanat e vdekjes së Argentinos, për të përcaktuar nëse kishte ndonjë mangësi në mbikëqyrjen e tij.

Gjyqi i parë në rastin e vrasjes së Sara Campanella-s, e cila kishte tronditur opinionin publik në Itali, ishte planifikuar për 10 shtator.

Top Channel