Universitetet, 20,200 aplikime/ Numri më i madh që pas pandemisë. Në raundin e dytë pritet të shtohen edhe 4 mijë

06/08/2025 15:26

Raundi i parë i garës për në universitet është mbyllur me të dhëna pozitive; më shumë maturantë kanë aplikuar që prej periudhës post-covid19.

Është viti më i mirë do thoja krahasuar me kohën pas pandemisë që pati rënie. Kemi lëvizur gjithmonë në shifrat 19 500 por nën 20 000. Kjo është hera e parë që kalojmë në raundin e parë shifrën 20 mijë. Kemi pasur 20 200 maturantë, diku te 500 maturantë më shumë nga viti i kaluar. Presim që nga vjeshta dhe maturantët e viteve të shkuara të kemi edhe 3 000-4 000 që do shtohen në raundin e dytë”, shprehet Arjan Xhelaj- kreu RASH.

Në 10 programet e llastuara si preferencat e 20 200 maturantëve aplikantë, interesi vazhdon të jetë i ngjashëm ndër vite. Teknologjia, shëndeti dhe financat renditen në 3 fushat më të kërkuara, ku edhe mundësia për vende të lira në raundin e dytë zerohet.

Programet me konkurs si mjekësia, arkitektura, urbanistika janë programe që iu ezaurohen kuotat gjatë regjistrimit brenda dy tre fazave të para. Një trend rritje në shkencat inxhinierike dhe informatike. Shkencat mjekësore janë të dytat me mjekësinë e përgjithshme, infermieritë, stomatologji; e ndjek ekonomiku dhe pastaj të tjerat kanë qenë stabël me juridikun në të njëjtat vlera. Sportet dhe artet ndikohen që nuk kanë mesatare dhe përzgjidhen. Sporti sidomos ka ardhur në rritje ndër vite”, shton më tej ai.

Programet që të çojnë drejt mësuesisë vazhdojnë të jenë më pak të preferuara, megjithëse shifrat e aplikimeve ngrenë shpresat se nuk ka degë me prioritet kombëtar të riskuara  për tu mbyllur.

“Shkencat e natyrës, sociale apo gjuhët e huaja lëvizin po te 7.5%, te shkencat e natyrës të paktën në aplikime ka qenë një shifër mbi 100 te të gjitha programet. P.sh. kimi farmaceutike shifër goxha e lartë me 400 kërkesa”, vazhdon kreu i RASH.

Surpriza mbeten studimet afatshkurtra që po thithin më shumë aplikime.

“Nëse filluam para 4 vitesh me 4-5%, sot programet dyvjeçare jane me mbi 10%…”, përfundoi ai.

Kjo është tendenca paraprake, pasi regjistrimet që nisin në shtator do të tregojnë zgjedhjet përfundimtare të të rinjve.

Top Channel