
Qindra udhëtarë mbetën të bllokuar të mërkurën, më 6 gusht, në Aeroportin e Birminghamit, pasi një aeroplan i vogël u detyrua të bënte një ulje emergjente, duke çuar në pezullimin e përkohshëm të pistës për disa orë.
Incidenti ndodhi rreth orës 13:40 me orën lokale. Sipas autoriteteve, të gjitha fluturimet u pezulluan përkohësisht, duke rezultuar në të paktën 25 anulime drejt destinacioneve të ndryshme evropiane.
Aeroplani Beechcraft B200 Super King Air, që ishte nisur drejt Belfastit, pati probleme me sistemin e uljes dhe u detyrua të ulej pjesërisht pa rrota. Sipas Policisë së West Midlands, në bord ndodheshin tre persona, të cilët morën ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa njëri prej tyre pësoi lëndime të lehta.
Si pasojë e ngjarjes, disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të Mançesterit dhe East Midlands. Udhëtarëve iu rekomandua të mos udhëtonin drejt Aeroportit të Birminghamit pa verifikuar më parë gjendjen e itinerarit të tyre. Ndërkohë, zonat e regjistrimit dhe të sigurisë qëndruan të mbyllura përkohësisht.
Pista u rihap pasdite, pak para orës 20:00, dhe operacionet ajrore rifilluan. Aeroporti kërkoi ndjesë për shqetësimet e shkaktuara dhe u bëri thirrje pasagjerëve të ndjekin udhëzimet e linjave të tyre ajrore për informacionet më të fundit.
Shikoni videon e uljes së detyruar të aeroplanit:
Top Channel