“Jam si Navalny”/ Ish-presidenti Meta kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, seanca shtyhet në 8 gusht

06/08/2025 14:09

As 48 orë nga mbyllja e hetimeve, ish presidenti Ilir Meta i kërkon gjykatës ta lirojë.

Siç thotë mbrojtja e ish funksionarit  ai nuk mund të impaktojë asnjë veprim të SPAK përderisa prokurorët e mbyllën kapitullin  e veprimeve hetimore. Nga  dorëzimi i kërkesës që kësaj radhe sugjeron heqjen e masës së arrestit me një më të butë siç është bllokimi i pasaportës, Gjykata e Posaçme ka caktuar datën se kur do ti dëgjojë palët.

Në datën 8 gusht ora dhjetë mbrojtja e Metës dhe nga ana tjetër prokurorët e posaçëm do të rishihen për herë të dytë brenda javës, mbasi pesë persona janë zyrtarisht të  pandehur mes tyre edhe ish bashkëshortja e ish presidentit, deputetja Monika Kryemadhi. Në qëndrimin e dorëzuar gjykatës avokatët thonë se kërkohet zëvendësimi i masës në krye të dhjetë muajve nga arrestimi i Metës që konsiderohet prej tyre nën kushte izolimi të njëjta sipas tyre me ato që ishin vendosur liderit të opozitës ruse Navalny.

Krahasimi tjetër i avokatëve është ai i precedentit Gëllci në Strasburg, për të cilin gjykata europiane kritikoi drejtësinë shqiptare për mbajtjen e tij në burg. Veç kësaj avokatët kujtojnë profilin e politikanit , të të akuzuarit Ilir Meta .

‘Atij nuk i lejohet të ushtrojë të drejtat politike si lider i opozitës dhe i Partisë së Lirisë. Atij nuk po i lejohet të takohet me anëtarët e kryesisë partisë, me deputetët, me eurodeputetët dhe është privuar nga përdorimi telefonit të institucionit për të folur po me këta persona”, këmbëngulin avokatët.

Për mbrojtjen, privimi i një politikani nën hetim nga kjo e drejtë është jo kushtetues, e për këtë arsye i referojnë gjykatës së posaçme se masa më e përshtatshme është ajo e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Që do të thotë se e vetmja që duhet të qëndrojë nën arrest është pasaporta e Ilir Metës.

 

Top Channel