Tarifat e Trump, presidenti amerikan kërcënon BE-në me tarifë 35% nëse nuk bën 600 miliardë dollarë investime në SHBA

05/08/2025 17:36

Presidenti amerikan, Donald Trump ka rikthyer mundësinë e vendosjes së tarifave të rritura ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa në të njëjtën kohë është shfaqur optimist për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kinën deri në fund të vitit.

Në një intervistë me rrjetin televiziv CNBC, presidenti i SHBA-së deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë gati të rivendosin tarifat prej 35% për produktet evropiane nëse Bashkimi Evropian nuk i përmbush angazhimet e tij të investimeve në ekonominë amerikane.

“Atëherë ata do të paguajnë një tarifë prej 35%”, u përgjigj Trump, kur u pyet se çfarë masash do të merrte Uashingtoni në rast të shkeljes së marrëveshjes së rënë dakord nga BE.

Siç kujtoi ai, tarifat e mëparshme ishin ulur kur Bashkimi Evropian, sipas deklaratës së tij, pranoi të bënte 600 miliardë dollarë investime në SHBA.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur Uashingtoni po rrit presionin mbi partnerët e tij tregtarë, duke kërkuar më shumë angazhime dhe duke rritur eksportet dhe investimet amerikane.

Megjithatë, sot, Brukseli njoftoi se po pezullonte kundërmasat ndaj tarifave doganore të Trump për shkak të marrëveshjes tregtare të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Marrëveshje me Kinën në horizont

Në të njëjtën kohë, Trump u shfaq veçanërisht optimist në lidhje me bisedimet tregtare që po zhvillohen me Pekinin. Siç tha ai, SHBA-të dhe Kina janë “shumë afër” një marrëveshjeje tregtare dhe në rast se arrihet një marrëveshje, ai nuk e përjashtoi mundësinë e takimit me presidentin kinez, Xi Jinping deri në fund të vitit.

“Jemi shumë afër një marrëveshjeje. Kemi marrëdhënie shumë të mira me Kinën”, theksoi ai, duke shtuar se marrëdhëniet e tij personale me Xi Jinping janë gjithashtu shumë të mira.

Ai sqaroi se nuk ka kërkuar zyrtarisht një takim me udhëheqësin kinez, por është i hapur për një perspektivë të tillë nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje.

Kërcënime të reja për Indinë

Në të njëjtën kohë, Trump përsëriti kërcënimin e tij për të rritur tarifat ndaj Indisë, duke akuzuar vendin se blen “sasi të mëdha nafte ruse”, dhe duke thënë se do ta ndërmerrte këtë hap “brenda 24 orëve të ardhshme”.

“India nuk është një partner i mirë tregtar sepse ata bëjnë shumë biznes me ne, por ne nuk bëjmë biznes me ta. Pra, ne ramë dakord për 25%, por mendoj se do ta rris ndjeshëm atë brenda 24 orëve të ardhshme sepse ata blejnë naftë ruse”, tha presidenti amerikan për CNBC.

Top Channel